Ekspertja e ISHP: S’kemi raste me koronavirus, duhet shumë kujdes higjienik...

Ekspertja e ISHP: S’kemi raste me koronavirus, duhet shumë kujdes higjienik...

10:38, 23/02/2020
A+ Aa A-

Drejtuesja e departamentit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino ka dalë sot para mediave për të informuar për situatën në vend dhe masat e marra nga autoritetet për koronavirusin, i cili në Itali ka dhjetëra raste të konfirmuara.

Bino deklaroi se nuk duhet të ketë panik dhe se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar.

“Nuk duhet të ketë panik, për momentin nuk kemi asnjë rast të dyshuar në Shqipëri. E rëndësishme të jemi vigjilentë, jo vetëm, por dhe të kujdesshëm për veten dhe të afërmit tanë. Ky virus nuk luftohet vetëm nga strukturat qeveritare, por dhe duke u kujdesur të mos pështyjmë përtokë, të vendosim gropëzën e bërrylit kur tështimë. Mos prekim hundën, gojën. Janë disa rregulla të thjeshta sanitare. Ky është një virus i thjeshtë. Përhapet po në atë rrugë që përhapet virusi i gripit. Gripin nuk e marrim në konsideratë shpeshherë, por ky virus ka një vdekshmëri disi më të lartë se gripi. Kjo është këshilla e parë, duhet të kujdesemi për higjienën".

"Instituti i Shëndetit Publik e përcakton diagnozën e koronavirusit në vend. nuk ka veç një pajisje, por disa pajisje që ndihmojnë njëra-tjetrën. Ne jemi në atë hap që janë gjithë vendet e tjera të botës, dhe sidomos të Europës.

Janë përforcuar masat në kufi. E di që të gjithë e keni mendjen atje. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që udhëtojnë, të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shqetësim shëndetësor. Në aeroport ndodhet njësia e inspektoratit sanitar, e përbërë nga mjekë e personel shëndetësor.

Virusi në asnjë vend të botës nuk mund të ndalet në aeroport. Ka shumë diskutimet për skanerat, për temperaturat. Por nga të gjitha studimet është treguar se ato nuk kanë ndonjë vlerë në kapjen e hershme. Kapja e hershme vjen vetëm nëpërmjet sistemit shëndetësor. Shqipëria është një vend që ka një eksperiencë shumë të mirë në gjurmimin e kontakteve.

Javës që shkoi provuam një testim të vetes sonë për të parë sa shpejt i kapim kontaktet. Sepse është e rëndësishme kapja e kontaktit dhe më tej marrja e masave për izolimin.

Karantina është vend për të shëndoshët. Nqs kemi një kontakt me të sëmurin, ai sipas kushteve futet në vetëkarantinë, nqs kushtet e tij e lejojnë ose futet në një karantinë të përcaktuar mirë, e cila është e përcaktuar në momentin që flasim dhe është një strukturë spitalore. Kemi përzgjedhur një strukturë spitalore për kushtet e mira.

Janë përzgjedhur dhe struktura të tjera që i plotësojnë këto kushte. Kemi përcaktuar rregullat qoftë për karantinën në shtëpi, qoftë për në struktura të tjera.

Është normale që njerëzit të kenë frikë por nuk duhet të ketë panik. Kini besim tek strukturat, kini besim tek ne dhe tek mua që po flas sepse shpesh e shoh që ka dyshime”, deklaroi Bino.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco