VIDEO/ 115 persona të arrestuar se luanin loto dhe domino

VIDEO/ 115 persona të arrestuar se luanin loto dhe domino

12:10, 21/02/2020
A+ Aa A-

Policia ka bërë të ditur se sot ka arrestuar 115 persona në disa qarqe të Shqipërisë.

Në një konferencë të bujshme të Policisë së Shtetit të drejtuar nga Ardi Veliu, u bë e ditur se hetimet kishin nisur që në korrik të vitit 2019 për personat që dyshohej se organizonin lojëra fati.

Hetimet janë bërë në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

Sipas Veliut, 84 persona janë arrestuar në Tiranë, pasi menaxhonin pika lotosh.

Ndërkaq gazetarët e SYRI TV në rrethe kanë raportuar se gjatë operacionit të policisë janë ndaluar edhe persona të cilët janë gjetur duke luajtur domino.

Më poshtë keni deklaratën e policisë:

Pas një pune hetimore që ka zgjatur 7 muaj, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit, Policia e Shtetit ka finalizuar mbrëmë me sukses të plotë, një operacion masiv në shkallë vendi.

Operacioni policor i koduar "Fati i lojërave”, realizuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër, ka sjellë hedhjen e prangave në flagrancë 115 persona, 24 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.

Janë sekuestruar shuma të mëdha parash, kompjuterë të lojërave të fatit, armë zjarri, dhjetëra aparate celular e aksesorë të tjerë që shërbenin për organizimin dhe implementimin e aktivitetit kriminal.

Ndër të arrestuarit janë edhe disa nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie të paligjshme që sipas parashikimeve të Kodit Penal dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produktit të veprës penale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedimin penal nr. 5431 të viti 2019.

Pas një pune të mirëfilltë procedurale dhe hetimore, duke aplikuar format dhe metodat speciale të hetimit, u arrit të dokumentohej aktiviteti kriminal në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë e Shkodër.

Mbi bazën e provave të siguruara, u nxorën nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendimet për kontrollin e vendeve dhe lokaleve në Tiranë ku dyshohej se ushtrohej kjo veprimtari kriminale.

Në këtë kuadër u organizua edhe operacioni policor i koduar "Fati i lojërave", i cili u zhvillua në të njëjtën kohë në të 8 qarqet e sipërpërmendura, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gjatë operacionit, i cili u zhvillua në kohën e zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të Europa League, u përfshinë 1540 forca policore, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Sigurinë Publike, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër.

Në Tiranë dhe në qarqe u ushtruan 486 kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale.

Si rezultat, në Tiranë u arrit të sekuestrohej një sallë qendrore monitorimi, e cila monitoronte aktivitetin që zhvillohej në pikat e tjera që zhvillohej ky aktivitet.

Në këtë sallë u gjetën dhe kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR dhe administratori i sallës, shtetasi G. M. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, të grumbulluara nga bastet që ishin vendosur nëpër pikat e monitoruara prej kësaj qendre kriminale.

Janë arrestuar edhe menaxheret e grumbullimit dhe transportimit të lekëve nga pikat, konkretisht shtetasit:

T. A., E. M., S. B., E. F. dhe N. E., menaxherë të pikave në Tiranë dhe A. N., menaxher në Durrës.

Në Tiranë janë arrestuar 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve ku organizonin lojërat e fatit dhe kishin vënë në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Në Korçë janë arrestuar 9 persona dhe 7 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milion lekë të vjetra.

Në Elbasan janë arrestuar 7 persona dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Durrës janë arrestuar 5 persona dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në Berat janë arrestuar 4 persona, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Fier janë arrestuar 3 persona dhe 3 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në Shkodër janë arrestuar 3 persona, 3 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milionë lekë të vjetra.

Në Lezhë janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona.

Në total janë arrestuar 115 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 24 dhe 2 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar në total 172 milion lekë të vjetra, 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celular, një numër i konsiderueshëm televizor plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco