VIDEO/ Lëndë kancerogjene me traget për t'i varrosur në Shqipëri, SPAK nis hetimin

VIDEO/ Lëndë kancerogjene me traget për t'i varrosur në Shqipëri, SPAK nis hetimin

07:56, 21/02/2020
A+ Aa A-

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Drejtori i Policisë Kufitare, Drejtori i Portit, i Doganës dhe Prefekti i Vlorës kanë shkuar sot në Portin e Vlorës për inspektimin dhe sekuestrimin e fuçive me amiant, lëndë së rrezikshme që po sillej fshehurazi në Shqipëri për t'u groposur.

Të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, duke filluar nga SPAK-u,  janë angazhuar që prej mbrëmjes së të enjtes, për hetimin dhe zbulimin e të gjitha fijeve të një afere kriminale me shtrirje ndërkombëtare: Transportin me traget në Vlorë dhe varrosjen në Shqipëri, të lëndëve kancerogjene, të kamufluara si produkte pastrimi të kompanisë "Delfini 1".

SPAK reagoi për mediat duke deklaruar se "ka kërkuar informacione urgjente nga prokuroria e Vlorës pas rastit dhe përfshihet në hetim. Drejt Vlorës nisen oficerë të policisë gjyqësore të SPAK".

Operacioni u krye nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria për Kufirin e Migracionin Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe parandaloi një tentativë për futjen e një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme e të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

Mbetjet vinin me traget nga Italia në drejtim të portit të Vlorës me destinacion përfundimtar Shqipërinë. 6 persona janë vënë në pranga si përgjegjës, ndër ta edhe një gruas. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale trageti, një fugon mallrash dhe një sasi e madhe e dyshuar me mbetje amianti.

Në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative nga strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, se me një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t'i depozituar në Shqipëri, u organizua puna dhe në bashkëpunim me Policinë vendore të Vlorës dhe atë Kufitare, u finalizua operacioni policor i koduar "Amiant", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Kujtim Xhaferllari , 65 vjeç, banues në Vlorë
Arbër Çuni, 28 vjeç, banues në Vlorë
A. G., 48 vjeç, banues në Vlorë
Festim Tafa, 72 vjeç,  banues në Vlorë
Elisabeta  Cuni, 55 vjeç, banuese në Vlorë
Zamir Kornuzi, 46 vjeç, banues në Vlorë

Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës Brindisi - Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, është gjetur dhe sekuestruar me cilesinë e provës materiale një sasi e papërcaktuar mbetjesh të ndaluara e të dyshuara të rrezikshme, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana e Policisë u kryen veprimet procedurale ku në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua trageti si dhe sasia e mbetjeve, të cilat nuk u lejuan të dilnin nga ambienti i tragetit.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe "Transportimi i mbetjeve”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco