Magjistratët krijojnë shoqatën 'Drejtësi për drejtësinë'

Magjistratët krijojnë shoqatën 'Drejtësi për drejtësinë'

19:16, 18/02/2020
A+ Aa A-

Magjistratët e shkarkuar nga vetingu me vendim të formës së prerë kërkojnë drejtësi. Ata janë organizuar në shoqatën “Drejtësi për drejtësinë”, tashmë e regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe pjesë e saj deri tani janë bërë rreth 15 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar.

“Justice for justice” i ka nisur një letër Gjykatës së Strasburgut ku rendit një sërë faktesh pse procesi i vetingut në drejtësi, sipas tyre është i paligjshëm dhe shkel të drejtat e njeriut dhe është i kapur politikisht.

Një prej anëtarëve dhe themeluesve të saj, në një prononcim për Syri.net është shprehur se: "Në shoqatë mund të marrin pjesë dhe të konfirmuarit nga vetingu dhe ata që janë në pritje. Gjithashtu edhe gjyqtarë, prokurorë e avokatë në pension si dhe studentë Drejtësisë".

Ai shtoi se, synimi i krijimit të shoqatës është mbarëvajtja e Reformës në Drejtësi sipas Kushtetutës.

Qëllimi kryesor i shoqatës “Drejtësi për drejtësi” do të jetë pjesëmarrja si palë e interesuar në proceset gjyqësore në Strasburg, ku magjistratët e shkarkuar kanë paditur shtetin shqiptar për largim të padrejtë nga puna.

Magjistratët e shkarkuar ngrenë pretendimin se institucionet të cilat po kryejnë vetingun, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelit vetë hetojnë dhe vetë gjykojnë. Gjithashtu, ata argumentojnë në letër se synimi i këtij procesi është reformimi i drejtësisë, por shkarkimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve po bëhet për qëllime politike.

Deri tani me vendim të formës së prerë janë larguar nga sistemi i drejtësisë rreth 40 prokurorë dhe gjyqtarë, ndërsa në Gjykatën e Strasburgut e kanë dërguar rreth 10 prej tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco