Zhdukja misterioze e 4-vjeçarit, dyshimet e para, policia shpërndan foton

Zhdukja misterioze e 4-vjeçarit, dyshimet e para, policia shpërndan foton

18:36, 18/02/2020
A+ Aa A-

24 orë nga zhdukja e fëmijës 4-vjeçar në zonën e Shkozës ende nuk ka asnjë gjurmë të tij. Familjarët e të miturit shprehen se për herë të fundit është parë në rrugën kryesore pranë banesave sociale. Policia ka shpërndarë foton e të miturit në gjithë pikat kufitare në rast se djali është rrëmbyer me qëllim trafikimin.

Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga zhdukja e 4-vjeçarit Klodian Ashini, në zonën e Shkozës në kryeqytet, ende nuk ka asnjë  gjurmë të tij.

Për herë të fundit i mituri është parë tek banesat sociale në zonën e Shkozës, i veshur me një bluzë të kuqe dhe pantallona të zeza.

Pak momente pasi kanë konstatuar mungesën e djalit, familjarët janë vënë në alarm për të kërkuar 4-vjeçarin, por pa një rezultat konkret.

Ata deklarojnë se fëmija ka qenë duke luajtur tek sheshi i banesave sociale, së bashku me një bashkëmoshatar tjetër.

"Rreth orës 5:30 del plaka ime dhe kërkon djalin. Kërko dhe nuk ka. Ka hipur te shkallët sipër dhe ka dalë te rruga."

Gjyshi i 4-vjeçarit shprehet për Ora Neës se prej 24 orësh nuk kanë marrë asnjë informacion për vendndodhjen e tij, ndërsa për herë të fundit komshinjtë e kishin parë tek rruga kryesore.

"Nuk kemi lënë vend pa kërkuar, nga ana e Lanës, nga pusetat dhe asgjë."

Nga ana tjetër efektivët e komisariatit nr.1 kanë nisur hetimet për gjetjen e 4-vjeçarit të mitur.

Duke qenë se kanë kaluar 24 orë nga zhdukja e fëmijës, blutë kanë shpërndarë foton e tij në gjithë pikat kufitare, në rast se djali është rrëmbyer me qëllim trafikimin.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve në zonën përreth banesave sociale, të cilat po analizohen për të zbuluar lëvizjet e fundit para momentit të zhdukjes së 4-vjeçarit.

Burime nga policia bëjnë me dije se po hetohet ndonjë konflikt i mundshëm i familjarëve, si shkak për zhdukjen e djalit 4-vjeçar./ Ora News

Image

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco