E nxori në pritë apo e qëlloi? Detaje nga ekzekutimi i të riut te 'Astiri'

E nxori në pritë apo e qëlloi? Detaje nga ekzekutimi i të riut te 'Astiri'

10:00, 22/01/2020
A+ Aa A-

Policia e Tiranës shpalli në kërkim një të dyshuar për ekzekutimin e 28- vjeçarit Vilson Tafçiu, mbrëmjen e së hënës në zonën e “Astirit”. I dyshuari është shtetasi me inicialet N.D., i cili ka njohje me viktimën. Identifikimi i tij si i dyshuar është bërë nga deklarimet e dëshmitarëve, por edhe këqyrja e kamerave të sigurisë, që po ashtu kanë fiksuar edhe një automjet, i cili është larguar me shpejtësi nga vendngjarja menjëherë pas vrasjes.

Të njëjtat burime thanë se është ushtruar kontroll në banesën e këtij personi, por ai nuk është gjetur aty, gjë që ka shtuar edhe më shumë dyshimet e Policisë për përfshirjen e tij në krim.

Megjithatë, ende nuk është saktësuar nëse shtetasi N.D. është personi që ka nxjerrë në pritë 28-vjeçarin Tafçiu apo ai që e ka qëlluar. Grupi hetimor ka dyshime se vrasja e të riut nga Dibra mund të ketë ndodhur për shkak të prishjes së ndonjë pazari nga shitja e lëndëve narkotike, aktivitet për të cilin ai ishte dënuar në Francë, por që ka dyshime se mund ta ketë vazhduar edhe pas deportimit në Shqipëri, ndonëse nuk ka qenë i proceduar dhe as në hetim në lidhje me këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Rreth orës 20:45 të së hënës, Vilson Tafçiu ka qenë duke pirë kafe me dy vajza në një prej lokaleve më të frekuentuara në zonën e “Astirit”, në Unazën e Re, në Tiranë. Në atë kohë, brenda lokalit është futur një person, i cili është drejtuar te tavolina dhe i ka kërkuar 28-vjeçarit që të dilte për pak sekonda jashtë me të, pasi do të sqaronte diçka.

Të paktën siç kanë deklaruar dy vajzat që e kanë parë personin e dyshuar, nga mënyra sesi kanë komunikuar dy të rinjtë, dukej që kishte një njohje të mëparshme mes tyre. Tafçiu është ngritur nga tavolina dhe ka dalë jashtë bashkë me personin që e kërkoi.

Të dy kanë kaluar në anë të lokalit, pranë një rrugice dhe brenda pak sekondash ai është qëlluar me armë zjarri. Askush nuk ka qenë në gjendje mbrëmjen e djeshme që të tregojë se cilin drejtim kanë marrë autorët, pasi ndodhi vrasja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco