Grabitet dhe dhunohet babai i dëshmitarit në gjyqin e Shullazit/ Ja ç'thotë policia

Grabitet dhe dhunohet babai i dëshmitarit në gjyqin e Shullazit/ Ja ç'thotë policia

09:37, 20/01/2020
A+ Aa A-

Ditën e shtunë në lagjen Nr.13, Durrës, persona të paidentifikuar i kanë vjedhur me dhunë çantën me 250 euro dhe 150.000 lekë, 62-vjeçarit Naim Musai. Ai është babai i ish-shoferit të biznesmenit Ylvi Beqja, i cili është edhe dëshmitar i mbrojtur i çështjes “Sullazi”. I biri, Besnik Musai dëshmoi kundër Emiliano Shullazit në gjyq për çështjen e ish-hotel ”Vollgës” në Durrës.

62-vjeçari është goditur dhe ka marrë dëmtime në trup dhe në kokë nga personat që akuzohen për vjedhje me dhunë në bashkëpunim. Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

NGJARJA

Naim Musai është sulmuar fizikisht nga dy persona ende të paidentifikuar, të cilët e dhunuan duke e dëmtuar në kokë, fytyrë dhe trup, ndërsa më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Sulmi ka ndodhur në një zonë ku kishte me dhjetëra qytetarë, por që e kanë pasur të pamundur të ndërhynin, pasi sulmi ishte shumë i befasishëm.

“Më datë 18.01.2020, në lagjen nr.13, Durrës, persona të paidentifikuar i kanë vjedhur me dhunë çantën me 250 euro dhe 150.000 lekë, shtetasit N. M., 62 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën ‘Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim’, tha Policia, e cila ka nisur hetimet për identifikimin e dy autorëve. Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se bëhet fjalë për dy persona, relativisht të moshës nga 20 deri në 30 vjeç.

Të njëjtat burime thonë se kemi të bëjmë me një grabitje të pastër dhe jo me një hakmarrje në lidhje me të birin, që ishte ish-shoferi i biznesmenit Ylvi Beqja dhe që rezulton të jetë person i mbrojtur nga Policia dhe Prokuroria.

Menjëherë pas sulmit, Naim Musai i është drejtuar Policisë për të bërë denoncimin. Teksa ka treguar me detaje sulmin e befasishëm, Musai ka deklaruar se në çantë kishte 1.5 milionë lekë të vjetër e 275 euro, me të cilat ushtronte aktivitetin ditor të këmbimit valutor.

“Dy persona, të cilët nuk i kisha parë më parë, më sulmuan. Më dhunuan duke më goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas më zhvatën edhe çantën që kisha me vete. Brenda në çantë kisha 1.5 milionë lekë të vjetër e 275 euro, me të cilat punova gjatë ditës. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Nuk i vura re fare. Ata u afruan dhe më goditën befasisht, duke mos më folur fare me gojë. Fillimisht më goditi njëri prej tyre me grusht në bark, unë mbajta fort çantën, por e lëshova pasi nisën të më godisnin pa pushim të dy. Më zhvatën çantën dhe u larguan me shpejtësi. Nuk arrita t’i identifikoja”, deklaroi ndër të tjera për grupin hetimor Naim Musai, i cili u sulmua nga dy të rinjtë pasditen e së shtunës në zonën e Plazhit në Durrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco