Snajperi që tronditi vendin/ Gazetari: Kush mund ta ketë porositur vrasjen

Snajperi që tronditi vendin/ Gazetari: Kush mund ta ketë porositur vrasjen

10:16, 18/01/2020
A+ Aa A-

Ministria e Brendshme thotë se mund të jetë pranë zbardhjes së vrasjes së biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshen. Por koha do e tregojë këtë, ndërkohë që kjo vrasje ka tronditur mbarë vendin dhe për të do të flitet gjatë.

Vrasja e Kastriot Reçit në Rrëshen është etiketuar si spektakolare për shkak se u krye me snajper nga një distancë prej 200 metrash. Snajperisti qëlloi nga kati i 9-të i pallatit  me një plumb të vetëm 47-vjeçarin në bulevardin e qytetit. Madje goditi pa shkaktuar asnjë pasojë.

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin e Mustafa Nanos, “Provokacija” tha se kjo është vrasje jo vetëm spektakolare, por edhe me kosto të lartë. Sipas tij një vrasje të tillë mund ta porosisë një organizatë e krimit të organizuar.

“Niveli i krimit varet nga kostoja. Në vrasjen e Rrëshenit është zbuluar një snajper. Po kështu nga hetimet ka dalë se snajperisti hyn me tuta dhe del si femër. Qendron 5 orë në pritje dhe sapo sheh objektivin para një gruaje dhe një fëmije, qëllon në shenjë. Tani nuk po flasim për vrasjen e Kasem Sulejmanit me dron nga SHBA-të, po flasim për një vrasje në Rrëshen, që është sa “një tepsi”. Prandaj them se kjo është një vrasje me kosto, që mund të ketë kushtuar së paku 100 mijë euro. Ai (ata) që e kanë porositur sigurisht kanë para të ardhura nga krimi. Vrasje të këtij niveli mund të bëhen nga krimi i organizuar, i drogërave të forta, ndaj dhe është vështirë të zbulohen”, u shpreh Artan Hoxha.

Kujtojmë se sapo u vra Kastriot Reçi media solli në kujtesë 4 vrasje të tjera të pazbardhura, të mbetura pa autor. Vrasja e parafundit që ka ndodhur në Rreshen është ajo e Tonin Gjinit, në gusht 2019. Ky i fundit ka qenë person me precedent, i arrestuar nga policia si anëtar i bandës së Met Kananit.

Në shtator 2017 në Bruksel është vrarë një tjeter djalë nga Rrësheni, Kreshnik Gjini (nipi i Sajmir Jakut). Më 26 prill 2017 u vra në Romë Gasper Reçi (vëllai i Kastriot Reçit). Në 2016, u vra në qytetin e Rrëshenit, ish-drejtori i OSHEE, Saimir Jaku.

Mediat kanë spekuluar se autori i vrasjes së Kastriot Reçit mund të jetë i huaj. Ndërkohë vrasja e tij ka bërë që shumë ‘të fortë’ të bëjnë kujdes kur ekspozohen në publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco