‘Shembullorë’ në burgje! Të dënuarit për krime të rënda që kanë lënë qelitë para kohe

‘Shembullorë’ në burgje! Të dënuarit për krime të rënda që kanë lënë qelitë para kohe

20:00, 15/01/2020
A+ Aa A-

Indrit Dokle ishte i fundit nga disa prej emrave më të njohur të botës së krimit që lirohen nga burgjet e vendit muajt e fundit.

Nehat Kulla, Lulzim Caka, Gert Gjinarari, Elidon Kotorri janë emrat e të tjerë të njohur të kaosit të vitit 1997, por që tashmë ndodhen jashtë qelive.

A2 CNN ka listuar emrat e të fortëve që kanë lënë qelitë së fundmi dhe 'CV'-në e tyre kriminale.

Elidon Kotorri u lirua në gusht të një viti më parë. Ai akuzohej për krimin e trefishtë që ndodhi më 11 janar 2000, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe që kishte në shënjestër viktimën Andi Hasani. Përveç tij, në këtë atentat u vranë edhe dy të tjerë.

Kotorri u dënua me burgim të përjetshëm, por mungesa e disa provava bëri që gjykata e të drejtave të njeriut të rikthente dosjen për rigjykim dhe Kotorri t’i shpëtonte burgut përjetë. 

Nehat Kulla, i njohur edhe me nofkën "Gjenerali", u lirua në korrik të vitit 2019. Ai drejtoi një ndër bandat më famëkeqe në Tiranë në vitin e mbrapshtë 1997.

Ai ka shlyer në burgun e Fushë-Krujës dënimin 20-vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit, ngjarje e ndodhur në vitin 1998 në Golem.

Gjuzi ishte shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.

Krimet e Lulzim Cakës datojnë nga viti 1995 me vrasje. Nisur nga lidhjet e krijuara, Caka në vitin 1997 u bë tmerri i udhëtarëve në rrugët nacionale Berat-Fier dhe Berat-Lushnjë.

Ngjarja e mbetur në kujtesë është ajo e nënës së tij Xhevrie Caka. Pasi shkoi për të takuar të birin që ndodhej i arrestuar në Fier, gruaja u rrëmbye në derën e komisariatit të policisë në vitin 1999 dhe u gjet e masakruar në pyllin e Semanit.

Lulzim Caka u betua për hakmarrje. Ai u arratis nga burgu dhe në mes të fshatit Samaticë ekzekutoi dy nga autorët e vrasjes së nënës së tij.

Gert Gjinarari, bashkë me Arben Grorin, vranë në Itali 22 vite më parë Naim Zyberin.

Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çoi dënimin përjetë në 25 vite burg.

Një tjetër emër i njohur u lirua nga Gjykata e Elbasanit në dhjetor të një viti më parë. Viktor Ymeri ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës e Ilir Xhungës.

Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës (rivali i Zani Çaushit), i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco