E gjeta me lot në sy/ Humbi djalin, ja çfarë thotë babai i efektivit të policisë rrugore

E gjeta me lot në sy/ Humbi djalin, ja çfarë thotë babai i efektivit të policisë rrugore

21:39, 09/01/2020
A+ Aa A-

Një djalë të dashur e të sjellshëm humbi familja dhe qyteti i Ersekës. Mariglen Mestani, një 27-vjeçar profesionist në radhët e policisë rrugore të kryeqytetit u largua para kohe nga jeta. Pas 12 orësh luftë e humbi betejën me vdekjen dhe sëmundja e meningjitit i mori jetën.

Neës24 udhëtoi drejt qytetit të Ersekës, në vendlindjen e efektivit të policisë rrugore që prej 7 vitesh jetonte dhe punonte në Tiranë. Mes lotëve dhe dhimbjes së pafundme për ndarjen nga jeta në lule të rinisë, familjarët e përcollën të dashurin e tyre për në banesën e fundit në Ersekë.

Babai i Mariglenit nuk do i harrojë çastet e fundit që pati me të birin teksa dergjej në shtratin e spitalit. Ai rrëfen se e ka gjetur të vetëdijshëm dhe se djali e kishte përshëndetur.

“Djalin e gjeta të vetëdijshëm kur shkova në Tiranë. Isha në fshat kur mora lajmin. Jam tmerruar kur e pashë me pulla. Nuk e njoha, ma bëri me dorë, e putha nga xhami, nuk mund të qëndroja dot aty ta shihja në atë gjendje…Djali ishte i shëndetshëm nuk kishte pasur probleme asnjëherë, nuk është sëmurur.

Kur hyra me djalin e xhaxhait, (nipin) djali im filloi të qante, kur na pa bashkë te dyve. Prej 7 vitesh punonte në Tiranë, shokët dhe stafi i tij erdhën me ne, na shoqëruan nga Tirana për në Ersekë. Djalin e kisha të sjellshëm, të rregullt”, tha Artur Mestani.

Për Neës24 kanë folur dhe të afërm të tjerë të 27-vjeçarit. Bitije Mestani, tezja e 27-vjeçarit, në shtëpinë e të cilës qëndronte Mariglen Mestani prej 4 vitesh.

“Djali jetonte me mua prej 4 vitesh, djali nuk kishte asnjë shqetësim, vetëm gripi e kishte zënë. Punën e la 2 orë para, që në orën 1, erdhi i sëmurë nga këmba, unë ia hoqa këpucët sepse nuk i hiqte dot, e mora e shtriva, unë shkova ne punë, kur u ktheva e gjeta përsëri të sëmurë, e çova në spital, doktorët me thanë ka një sëmundje, ju thashë ta çonim jashtë shtetit, por e futën në reanimacion. Më iku gjithë ai djalë”, shprehet tezja e efektivit që u nda nga jeta.

Për vdekjen e 27-vjeçarit u organizuan 7 makina policie të cilat shoqëruan familjarët e tij drejt qytetit të Ersekës, e më pas të hidhëruar dhe me lot në sy shoqëruan për në banesën e fundit, shokun dhe kolegun e tyre.

     

     

     

     

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco