Vrau kushëririn për borxhin/ RENEA kap autorin, detajet e krimit

Vrau kushëririn për borxhin/ RENEA kap autorin, detajet e krimit

10:04, 12/12/2019
A+ Aa A-

Tre vjet pas vrasjes së Dorian Llukës në Gjirokastër, policia ka arrestuar autorin e dyshuar. Bëhet fjalë për shtetasin Enrik Lluka, i cili u vu në pranga nga një aksion i policisë Gjirokastër dhe forcat RENEA.

Efektivët e RENEA-s e kanë arrestuar në banesën e tij Enrik Llukën në Shtëpëz të Gjirokastrës pasi akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij dhe plagosjen e të vëllait për një borxh prej 500 mijë lekësh në mars te vitit 2016. Në banesë Llukës iu gjet një pistoletë dhe një snajper. Fillimisht RENEA ka rrethuar zonën ndërsa i dyshuari është kapur në befasi brenda banesës së tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi në mars të vitit 2016 pas konfliktit për një borxh rreth 500 mijë lekë që autori u kishte dy vëllezërve Lluka, Dorianit dhe Bilbilit, kushërinj me të. Krimi ndodhi në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, ndërsa 2 miq të autorit ishin dhe dëshmitarë të vrasjes dhe plagosjes së dy vëllezërve. Asokohe ranë në pranga Emiliano Vocka dhe Samuel Jaçe, 29 vjeç.

Por si Jaçe, edhe Vocka mohuan që të kenë qenë prezentë në momentin e krimit. Kjo ka bërë që grupi hetimor të nxjerrë konkluzionet paraprake për ngjarjen, në bazë të dëshmive nga familjarë dhe të njohur të palëve në konflikt. Fillimisht u dha si pistë kryesore ajo e një konflikti pronësie, por duket se krimi kishte të bënte me një shumë parash të pakthyera.

Nga të dhënat rezulton se dy vëllezërit Lluka kanë qenë të parët, të cilët kanë provokuar konfliktin. Në kryqëzimin që ndan aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë me fshatin Humelicë në perëndim dhe fshatin Andon Poci në lindje, ata janë ndeshur me Enrik Llukën.

Të dyja palët ndodheshin me makina. Në moment, pasi kanë ndaluar, dy vëllezërit dyshohet se i kanë kërkuar paratë e borxhit Enrik Llukës. Në debat e sipër, dy vëllezërit akuzohen se e kanë kërcënuar me thikë 28- vjeçarin. Ky i fundit ka mundur t’u shpëtojë nga duart dy vëllezërve dhe ka hyrë brenda në makinën e tij, nga pjesa e pasagjerit, ku ka rrëmbyer pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të vëllezërve.

Këta të fundit gjendeshin ngjitur me makinën e Enrikut dhe aty ngelën të gjakosur. Policia konfirmon se makina e zezë “Benz” e gjetur në vendngjarje është e autorit të krimit. Ndërsa dy vëllezërit kanë qenë me një tjetër mjet, me të cilin dikush i ka transportuar drejt spitalit. Ngelet mister se kush ka qenë personi që ka marrë nën kontroll makinën e viktimave duke i shoqëruar ata në gjendje të rëndë drejt spitalit të Gjirokastrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco