Gjyqet e emigrantëve shqiptarë në SHBA, avokati: Ku dhe si t'i mbroni të drejtat tuaja

Gjyqet e emigrantëve shqiptarë në SHBA, avokati: Ku dhe si t'i mbroni të drejtat tuaja

08:59, 07/12/2019
A+ Aa A-

Avokati amerikan Kieran Both iu është përgjigjur pyetjeve të lexuesve për problemet e emigracionit në SHBA në gjykatat amerikane. "Një nga lexuesit i ka dërguar me e-mail një pyetje në adresën tonë: "Pata një seancë dëgjimore përpara një gjykatësi emigracioni në New Jersey. Gjykatësi nuk ma aprovoi aplikimin dhe më dha urdhër deportimi. Avokati im më tha që mund ta apeloj vendimin dhe që nuk do të më deportojnë fizikisht sa kohë që nuk më është refuzuar kërkesa për apelim. Po mendoj të marr një avokat tjetër, por nuk jam i sigurt për proçedurën që duhet të ndjek dhe nuk dua të flas më me avokatin tim të mëparshëm. Kam frikë se do të më deportojnë.  

Anonim

New Jersey 

Lexuesit tanë na bëjnë shpesh pyetje rreth kërkesave të tyre për apelim, dhe zakonisht personi i interesuar ka një avokat që po merret me kërkesën për apelim. Ka disa arsye etike të cilat na pengojnë që t’u japim këshilla specifike personave që e kanë një avokat që po merret me çështjen e tyre. U kërkojmë ndjesë lexuesve tanë të rregullt që nuk mund t’u ofrojmë informacion apo ndihmë specifike. Ju bëjmë thirrje që të shkoni dhe t’ua bëni këto pyetje avokatit tuaj. Avokatët janë të detyruar që të mbajnë në dijeni klientët lidhur me çështjet përkatëse dhe klientët duhet ta dinë këtë gjë. Nëse avokati nuk i përgjigjet telefonatës së klientit, i sugjerojmë këtij të fundit që t’i shkruajë një letër avokatit ku t’ia bëjë këto pyetje dhe më pas ta marrë në telefon. Ju kujtojmë që kërkesat për apelim kanë afate të prera, kështu që nëse nuk keni një avokat duhet të merrni masa për t’u takuar menjëherë me një avokat. Është mirë të pyesni avokatin nëse ka përvojë në këto çështje. Sigurohuni që avokati ka përvojë me ligjin e emigracionit, pasi përgatitja e kërkesave për apelim kërkon njohje të ligjit dhe të proçedurave ligjore.

Nëse merrni një avokat të ri, ai ose ajo do të mund të shqyrtojë dokumentat që ju dha gjykatësi i emigracionit si dhe t’ju shpjegojë afatet. Proçesi i apelit vazhdon gjatë. Nëse kërkesa për apelim bëhet në kohë, personi që e ka paraqitur kërkesën nuk mund të deportohet pa u marrë një vendim mbi kërkesën. Është e rëndësishme që Bordi i Apelit për çështjet e Emigracionit – BIA të marrë njoftimin për apelim të vendimit (Notice of Appeal), tarifën përkatëse si dhe dokumentin që dëshmon që kërkesa është postuar në datën e caktuar, brenda 30 ditëve që nga data e marrjes së vendimit nga gjykatësi i emigracionit. Bordi i Apelit të Emigracionit ndodhet në adresën: 5107 Leesburg Pike, Suite 2000, Falls Church, Virginia, 22041. Nëse njoftimi për kërkesë apelimi nuk paraqitet në kohë, kërkesa për apelim nuk merret parasysh.

Individët mund të hetojnë mbi statusin e kërkesës së tyre për apelim pranë emigracionit duke marrë në telefon numrin e vënë në dispozicion nga zyra ekzekutive që mbikqyr gjykatat e emigracionit (EOIR). Ky numër është: 1-800-898-7180. Kompjuteri do t’i kërkojë personit të interesuar numrin e quajtur alien number i cili fillon me gërmën “A” dhe i caktohet çdo çështjeje gjyqësore të emigracionit. Ky numër gjendet gjithashtu në teserën e autorizimit për punë, në njoftimin e marrjes së kërkesës për apelim si dhe në të gjithë dokumentat e lëshuara nga gjykata e emigracionit. Me të futur numrin në fjalë, kompjuteri do të konfirmojë emrin e personit si dhe do të ofrojë opcione të ndryshme informative që lidhen me çështjen dhe që janë në dispozicion të personit të interesuar.  Njëri nga opcionet ka të bëjë me informacionin lidhur me kërkesën për apelim. Kompjuteri është në gjendje t’i japë telefonuesit informacion lidhur me datën kur duhet të paraqitet kërkesa për apelim, kohën kur është paraqitur kërkesa për apelim, kur duhen paraqitur dokumentat shtesë si p.sh. përmbledhësja ligjore e çështjes si dhe informacionin nëse është marrë ndonjë vendim nga BIA. Nëse është marrë ndonjë vendim, kompjuteri do t’ju japë dhe datën kur është marrë vendimi. Në momentin që merr këtë informacion, personi i interesuar tashmë është në dijeni lidhur me statusin e çështjes.

Me t’u dërguar Notice of Apeal, BIA cakton një periudhë kohore brenda së cilës duhet dërguar përmbledhësja ligjore e çështjes. Kjo bëhet e mundur vetëm pasi BIA i dërgon avokatit transkriptin e shtypur. Mund të duhet shumë kohë, shpeshherë muaj të tërë që nga data kur është paraqitur kërkesa për apelim. Megjithatë BIA ka thënë se po punon që ta shkurtojë këtë periudhë kohe. Pasi i dërgohen BIA-it argumentat juridikë, gjykatësit e apelit i shqyrtojnë ato argumenta dhe marrin një vendim. Edhe kjo mund të kërkojë shumë kohë për shkak të pirgut të çështjeve të prapambetura që janë grumbulluar në pritje të një vendimi nga BIA.

Nëse BIA e rrëzon kërkesën për apelim të paraqitur nga një person i caktuar, ky mund të bëjë kërkesë për apelim pranë një gjykate federale. Kjo kërkesë njihet si lutje për rishikim [të vendimit]. Edhe për paraqitjen e këtij lloj apeli egzistojnë afate të prera dhe në shumicën e rasteve kjo lloj kërkese për apelim duhet paraqitur brenda 30 ditëve që nga data e vendimit të BIA-it.

Urdhri për deportim ose largim nga Shtetet e Bashkuara i lëshuar nga një gjykatës emigracioni është një vendim shumë i rëndësishëm, sepse praktikisht mund t’ia heqë tërësisht mundësinë dikujt që në të ardhmen të hyjë në SHBA. Në varësi të rasteve konkrete, ligjet e emigracionit të SHBA-së (INA) mund të vendosin barriera që e pengojnë personin në fjalë që të rifutet në SHBA për periudha prej tre, pesë, dhjetë ose njëzet vjetësh.  Në disa raste, si ato që kanë të bëjnë me aplikime të fabrikuara, barriera e lartpërmendur është e përhershme. Egziston një numër i kufizuar rastesh kur mund të bëhet kërkesë për heqje të këtyre barrierave. Gjithashtu qeverisë së Shteteve të Bashkuara i lejohet të nisë ndjekjen penale të personave që refuzojnë të paraqiten për deportim (largim) sipas direktivave të lëshuara nga autoritetet e emigracionit. Nëse një person ka marrë urdhër deportimi, largimi apo dëbimi ai ose ajo duhet të marrin në konsideratë të gjitha mundësitë për apelim të vendimit apo rihapje të çështjes për të parë nëse ka mënyra të disponueshme që ata të mund të vazhdojnë të qëndrojnë në SHBA.

Ndokush mund të paraqesë një Mocion për Rishqyrtim të vendimit apo Mocion për Rihapje të proçedurave gjyqësore. Edhe për paraqitjen e këtyre mocioneve ka afate strikte, në shumicën e rasteve 30 ose 90 ditë, në varësi të mocionit që do të paraqitet. Mocioni duhet të tregojë arsyen pse duhet rihapur çështja, si p.sh. prova shtesë ose gabim në mënyrën si është interpretuar ligji nga ana e gjykatësit apo BIA-it. Ka një numër përjashtimesh përsa i përket kohës dhe kufizimeve numerike të përmendura më lart dhe personi që gjendet në një situatë të tillë duhet të konsultohet menjëherë me një avokat. Në rrethana të ngjashme mund të paraqiten dhe Mocione për Rihapje dhe Rishqyrtim. Nëse ndodheni në një situatë si kjo, ju sugjerojmë që ta diskutoni menjëherë çështjen tuaj me një avokat përpara se të jetë tepër vonë.

Kërkesat për apelim dhe mocionet për rihapjen e çështjes janë metoda shumë të rëndësishme për të ndrequr një çështje në të cilën është gabuar, por afatet për to janë të prera. Ju bëjmë thirrje që të konsultoheni me një profesionist në fushën e emigracionit lidhur me situatën tuaj konkrete. Mund të gjeni informacion shtesë si dhe formularë në faqen e internetit të Shërbimit të Emigracionit dhë të Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) në adresën  www.uscis.gov ose në faqen e internetit të Gjykatës së Emigracionit në adresën www.usdoj.gov/eoir./Gazeta Illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco