Arrestohet xhaxhai i ‘Ben Qimes’, ja për çfarë akuzohet

Arrestohet xhaxhai i ‘Ben Qimes’, ja për çfarë akuzohet

17:03, 06/12/2019
A+ Aa A-

Policia e Fierit njoftoi të premten ndalimin e Ahmet Isufajt, 56 vjeç, të akuzuar për krim të organizuar dhe shitje narkotikësh nga drejtësia kosovare.

“Lokalizohet, kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale ‘krim i organizuar’ dhe ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm’”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Si rezultat i këtij operacioni, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: A. I., 56 vjeç, banues në Fier”, citohet në njoftimin e policisë.

Një burim nga policia e Fierit pohoi për BIRN se i ndaluari që kërkohet nga drejtësia kosovare quhet Ahmet Isufaj, i cili është xhaxhai i biznesmenit fierak Arben Isufaj i njohur edhe si “Ben Qimja”.

Arben Isufaj ka një të kaluar kriminale në shtetin italian dhe është dënuar nga Gjykata e Torinos për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Ai u arrestua për t’u ekstraduar në Itali në mars 2014, por kërkesa e autoriteteve italiane u hodh poshtë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier.

Bosët e krimit në Shqipëri i shpëtojnë ekstradimit

Policia sqaron më tej në njoftim se gjatë operacionit është kapur me armë zjarri me vete dhe është arrestuar në flagrancë edhe djali i këtij shtetasi, A.I. 33 vjeç banues në Fier.

“Nga kontrolli personal i ushtruar, 33-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë, një krehër me 15 fishekë dhe një mjet prerës (biçak), të cilat ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në ngarkim të 33- vjeçarit A. I., për veprën penale ‘armëmbajtja pa leje’”, sqarohet në njoftim.

Pas caktimit të një mase sigurie të përkohshme, do t’u kërkohet autoriteteve të drejtësisë kosovare që të dërgojnë materialet provuese dhe më pas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier do të vendosi për ekstradimin ose jo të Ahmet Isufajt.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco