Atentati që tronditi Vlorën/ Sulmuan djalin e biznesmenit, prangosen 4 persona

Atentati që tronditi Vlorën/ Sulmuan djalin e biznesmenit, prangosen 4 persona

12:56, 15/11/2019

Policia e Vlorës ka arrestuar 4 persona, si të dyshuar për atentatin me armë zjarri të ndodhur në 10 maj të këtij viti, ku i plagosur gabimisht mbeti kalimtari Dajko Canodemaj, ndërsa shënjestra ishte Inez Hajrulla. Gjashtë muaj pas atentatit, Policia e Vlorës thotë se ka zbardhur ngjarjen. Emrat e të arrestuarve janë: Daut Elmazi, 25 vjeç, Albano Goxhaj 24 vjeç, Dejvison Serjani 28 vjeç, Ardjan Ahmeti 26 vjeç.

Inez Hajrulla u sulmua në zonën e Lungomares, pranë një kompleksi në pronësi të Edison Harizajt, i ashtuquajtur "Kumbari" ose "Faqedjeguri", i vrarë në Durrës. Burimet thanë se ai u vu në qendër të një sulmi të koordinuar nga dy grupe personazh që udhëtonin me makina të ndara. Para lokalit në zermër të Vlorës, ata shkrepën breshëri kallashnikovi por objektivi ka arritur të shpëtojë. Hajrulla është djali i një biznesmeni dhe ka edhe vetë në pronësi një lokal.

Një klient që nuk kishte lidhje me ngjarjen mbeti i plagosur, pasi ndodhej duke pirë kafe në lokalin ku ishte ulur edhe objektivi i atentatit, bashkë me një mikun e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit, në shëtitoren e Lungomares. Burime nga Policia lokale thanë se objektivi i atentatorëve ishte 27-vjeçari Inez (Imer) Hajrulla, i cili arriti t’u shpëtojë plumbave. Madje, përveç kësaj, e ndoqi me vrap makinën e autorëve, duke iu kundërpërgjigjur me armë zjarri. Sipas dëshmitarëve, shkëmbimi i zjarrit ka vazhduar për afro 100 metra. Autorët qëllonin nga makina në drejtim të Hajrullait e një mikut të tij të identifikuar me emrin Ervis dhe këta të fundit qëllonin me armë drejt makinës që e ndiqnin në këmbë.

Më pas, automjeti tip “Land Rover”, në të cilin dyshohet se ndodheshin tre persona, “u zhduk” dhe u gjet i djegur në zonën e Babicës, bashkë me dy armë zjarri brenda. 

Hajrulla i kishte shpëtuar edhe një tjetër atentati me eksploziv në mes të Vlorës në vitin 2017, kur makina e tij u hodh në erë dhe ai mbeti i plagosur rëndë, pasi mbeti i gjymtuar me një këmbë. Megjithatë, pas kësaj ngjarjeje ai u arrestua, sepse Policia i gjeti një armë pa leje. Nga ana tjetër, ai ka qenë i dyshuar edhe për një grabitje me armë, po në Vlorë, por pas arrestimit u la i lirë për mungesë provash. Vitin e kaluar pati sërish probleme me Policinë, pasi u mor në pyetje në lidhje me zhdukjen e Elis Troqes. 

Hajrulla është i afërm me Renato Imerin, i vrarë në datë 31 korrik pranë një lokali në Lungomare. Gjithashtu ai është kushëri edhe Endri Çaushit, i vrarë në Durrës para disa vitesh.

Ja njoftimi i plotë i policisë:

Vlorë

Në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, Policia dokumenton ngjarjen e ndodhur në maj të 2019.

Finalizohet operacioni policor i koduar "Gjurmimi".

Vihen në pranga 4 shtetas.

Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 10.05.2019, në lagjen "Ujë i Ftohtë", ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari D. C., ju informojmë se:

Policia e Vlorës, si rezultat i punës intensive hetimore prej 6 muajsh, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë, ka bërë zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcave Operacionale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e personave të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar "Gjurmimi", si rezultat i të cilit kanë bërë ndalimin e shtetasve:

• D. E., 25 vjeç, banues në Vlorë;

• A. G., 24 vjeç, banues në Fier;

• D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë;

• A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;

Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco