Palushi komenton ngjarjen e Durrësit: Kush i prish dhe i rivendos ekuilibrat

Palushi komenton ngjarjen e Durrësit: Kush i prish dhe i rivendos ekuilibrat

16:53, 04/11/2019
A+ Aa A-

Drejtori i ri i informacionit në Syri.net, Enton Palushi, ishte i ftuar në SYRI TV. Ai komentoi edhe ngjarjen e fundit në Durrës, ku u sulmua me armë zjarri prokurori Arjan Ndoja.

Palushi e nisi duke thënë se nuk është parë e dëgjuar që një kryeministër dhe zëvendëskryeministër të sulmojnë me emër një prokuror dhe më pas atij t’i bëhet pritë për ta vrarë.

Ai tha se edhe në republikat e tjera të narko-shteteve, siç është rasti i Kolumbisë së Eskobarit, njerëzit mund të dallonin se ku është shteti dhe ku është krimi.

“Problemi është se në Shqipëri nuk po e dallon kush më se ku nis shteti dhe ku mbaron krimi, ku nis krimi dhe ku mbaron shteti,” tha Palushi.

Sipas tij, ngjarje të tilla vijnë për shkak të përplasjes së klaneve pasi prishen interesa të caktuara. Ai solli shembullin e një gazete holandeze, e cila shkruante se bandat shqiptare i kanë ndarë vetë me kujdes zonat e ndikimit. Kur prishet ky ekuilibër, shpërthen lufta.

“Ekuilibrat u prishën në Shkodër, shpërtheu lufta. U prishën në Elbasan, nisi lufta. Po ashtu në Vlorë. Po kështu në Durrës. Po çfarë territori kontrollon kjo qeveri kur nuk kontrollon qytetet kryesore të vendit. Pesë qytete të mëdha ka Shqipëria. Edi Rama nuk është kryeministër i Kinës. Kaq është Shqipëria,” tha Palushi.

E pyetur nga gazetarja Armela Ferko, Palushi tha se krimi i prish ekuilibrat dhe krimi i vendos vetë ekuilibrat. Sipas tij, është qesharake të pretendosh se tani kriminelët do të hanë kokat e tyre, siç thotë kryeministri Edi Rama.

“Një gazetë gjermane shkruante kur u vra Edison Harizaj se tani që u ekzekutua ‘Mbreti’ apo ‘Padrinoja’, një tjetër më i frikshëm se ai do i zërë vendin. Ja kështu do ndodhë edhe tani. Mund të vendoset një ekulibër, por kjo nuk do të thotë se nuk do ketë drogë e krim. Askush nuk duhet të gëzohet kur ekuilibrin e vendos krimi. Ekuilibrin duhet ta vendosë shteti”.

Sipas Palushit, është e frikshme që në Shqipëri po flitet sërish për elementë kriminalë, që ishin zhdukur ose që ishin arkivuar prej vitesh të tëra, por janë rikthyer sërish.

“Edhe ata shteti i zhduku ose i arkivoi,” tha Palushi.

Sipas tij, problemet e krimit në Shqipëri i kanë rrënjët sidomos tek pushteti vendor, që kontrollohet prej vitesh nga socialistët dhe Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco