Çfarë po ndodh? Pesë të vdekur në 13 orët e fundit

Çfarë po ndodh? Pesë të vdekur në 13 orët e fundit

15:18, 05/10/2019
A+ Aa A-

Tre aksidente fatale kanë ndodhur brenda 23 orëve të fundit në Kosovë, ku si pasojë e tyre 5 persona kanë humbur jetën ndërsa 8 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Mbrëmjen e së premtes në magjistralen Gjilan-Ferizaj, saktësisht në fshatin Budrigë e Epërme, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku.

Si pasojë e këtij aksidenti, dy persona kanë humbur jetën, ndërkaq dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Mund ta konfirmojmë se ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku. Dy persona kanë vdekur ndërkaq dy të tjerë kanë mbetur të lënduar. Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në IML për obduksion”, ka thënë Hashani për Express.

Autostrada “Ibrahim Rugova” është përgjakur mëngjesin e së shtunës. Aty ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku si pasojë e të cilit dy persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar.  

Aksidenti ka ndodhur afër fshatit Peqan të Suharekës. Ndërkaq sipas kryetarit të kësaj komune, Bali Muharremaj, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, aty kanë mbetur të vdekur dy persona dhe katër të tjerë janë në gjendje të rëndë dhe se të gjithë këta janë shtetas të Shqipërisë.

Policia ka konfirmuar rastin ku ka thënë se në këtë aksident janë përfshirë dy automjete, një fugon udhëtarësh dhe një kamion. Kahja e autostradës në drejtim të Prishtinës ishte bllokuar pas aksidentit ndërkaq automjetet janë orientuar në rrugë alternative.

E një tjetër aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen Lipjan-Shtime. Si pasojë e këtij aksident, një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Lajmin për Express e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët thanë se në aksident janë përfshirë dy vetura.

“Aksidenti ka ndodhur në orën 11:55 në magjistralen Lipjan-Shtime, të përfshira dy vetura, si pasojë e aksidentit një person ka ndërruar jetë ndërkaq dy të tjerë janë lënduar”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Në tetë muajt e parë të këtij viti, 69 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut në Kosovë.

 “Nga muaji janar e deri në muajin gusht të vitit 2019, në 59 aksidente fatale kanë humbur jetën 69 persona”, ka thënë Policia e Kosovës për Express.

Sipas policisë së Kosovës, gjatë vitit 2018 në 100 aksidente fatale kanë humbur jetën 129 persona.

/L.ÇETA/GazetaExpress

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco