Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Pse e vrau 71-vjeçari kunatin e tij? Gjendet shuma prej 13 mijë eurosh/ Familjarët nuk tërheqin trupin

Pse e vrau 71-vjeçari kunatin e tij? Gjendet shuma prej 13 mijë eurosh/ Familjarët nuk tërheqin trupin

18:47, 10/07/2019
A+ Aa A-

Një 71- vjeçar qëlloi me armë zjarri për vdekje kunatin e tij pasditen e së hënës dhe u vetëvra pas disa orësh me të njëjtën armë zjarri, me të cilën u krye krimi.

Sefedin Zenellari qëlloi veten me një plumb në kokë në ambientet e banesës s tij në lagjen 7 të qytetit, në afërsi të xhamisë “Iljaz Bej Mirahori”, ndërsa iu shmang Policisë, e cila kishte shkuar për ta shoqëruar si të dyshuar për krimin e një dite më parë.

Gramos Nako ishte kthyer dy ditë më parë nga SHBA së bashku me bashkëshorten për të pushuar dhe takuar familjarët, por u vra nga kunati i tij për arsye të cilat ende nuk janë zbardhur nga Policia. Për orë të tëra Policia hetoi në pista të ndryshme, duke u përqendruar fillimisht te grabitja, por edhe te konflikte të tjera që mund të kishin lidhje me çiftin. Mirëpo, pistat e hetimit u hodhën poshtë.

Mëngjesin e së martës, kur Policia iu drejtua banesës së 71-vjeçarit për ta shoqëruar, Zenellari u mbyll në një dhomë dhe qëlloi veten.

VRASJA

Pasditen e së hënës, 57- vjeçari Gramos Nako u gjet i pajetë në banesën e tij në qendër të Korçës, i qëlluar me dy plumba në trup, ndërsa në vendngjarje Policia gjeti tri gëzhoja. Ishte bashkëshortja e Gramos Nakos, baba i dy fëmijëve, e cila kur hyri në banesë gjeti burrin të shtrirë në tokë dhe të mbuluar me gjak. Ajo kërkoi ndihmën e familjarëve të tjerë që kanë banesat aty pranë, por edhe fqinjëve, të cilët sinjalizuan Policinë dhe kërkuan ndihmën e Spitalit të Korçës, por 57-vjeçari kishte ndërruar jetë.

Fillimisht u raportua si një vetëvrasje e mundshme, por këqyrja e viktimës dhe vendit të ngjarjes zbuluan se bëhej fjalë për vrasje. Policia ngriti fillimisht pistën e hetimit për një grabitje të mundshme, për shkak se viktima vinte nga SHBA, por kjo pistë u rrëzua pasi në banesë nuk u konstatuan mungesa të orendive, shumave monetare apo sendeve vetjake. Pas autopsisë së viktimës u konfirmua se ai ishte vrarë me dy plumba në kraharor, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk u gjet arma e krimit.

Pas deklarimeve në Polici të të afërmve dhe të njohurve, por edhe këqyrjes së kamerave të sigurisë marrë nga bizneset përreth, Policia ngriti një tjetër pistë që e çonte drejt autorësisë së mundshme të një prej familjarëve të viktimës.

Mëngjesin e së martës, Policia u drejtua në banesën e 71-vjeçarit për ta shoqëruar, pasi ishin ngritur dyshime se ai mund të kishte lidhje me vrasjen.

Sapo pa Policinë, Zenellari u ngjit në sheshpushimin e banesës së tij private në katin e dytë dhe qëlloi veten në kokë me pistoletë, e cila rezultoi se ishte e njëjta armë që u përdor edhe për vrasjen e kunatit të tij. Policia zyrtarisht konfirmoi vrasjen dhe vetëvrasjen e viktimës dhe autorit me të njëjtën armë, por ende nuk ka zbardhur motivin që shkaktoi këtë ngjarje të rëndë. Tashmë çështja hetimore i ka kaluar Krimeve të Rënda dhe po punohet për zbardhjen e shkakut të kësaj ngjarjeje të rëndë, që çoi në humbjen e jetës së dy kunetërve.

PARATË

Fillimisht u dyshua se ngjarja kishte ardhur pas një tentative për t’i grabitur një shumë të konsiderueshme parash. Kjo pistë u ngrit pas deklaratës së bërë nga bashkëshortja e Gramos Nakos, që është dhe motra e 71- vjeçarit Sefedin Zenellari, e cila në Polici ka thënë se 57- vjeçari atë ditë kishte konvertuar një shumë prej 15 mijë dollarësh në euro. Pas verifikimeve rezultoi se shuma e parave, në fakt nuk është grabitur. Ndërkohë, grupi hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave të dy ngjarjeve, ende nuk ka një pistë konkrete, por dyshohet se gjithçka ka ardhur pas një debati që dy kunetërit kanë pasur. Pasi kanë pirë kafe të dy ditën që Nako ishte kthyer nga SHBA, duket se hatërmbetjet mes tyre nuk janë sheshuar, duke përfunduar gjithçka në vrasje.

Familjarët nuk tërheqin trupin

Ndërsa pritet që të hidhet dritë më shumë mbi motivin që çoi në ngjarjen e rëndë, burime nga morgu i Korçës thanë se asnjë familjar nuk ka shkuar për të tërhequr trupin e pajetë të 71-vjeçarit. Sefedin Zenellari jetonte i vetëm pas divorcit me gruan, ndërsa dy fëmijët e tij jetojnë jashtë vendit, vajza në SHBA dhe djali në Greqi. Gjithashtu, edhe fëmijët e 57-vjeçarit Gramos Nako jetojnë në SHBA, ku janë vendosur si familje prej disa vitesh. /PANORAMA

Gramos Nako, i vrarë dy ditë më parë

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco