I mituri shqiptar thotë se u arratis nga babai i dhunshëm, por më pas ...

I mituri shqiptar thotë se u arratis nga babai i dhunshëm, por më pas ...

11:21, 06/04/2019
A+ Aa A-

Tetorin e kaluar, në komandën e policisë në Faenza u paraqit një 52-vjeçar, shtetas italian rezident në Castel Bolognese, i shoqëruar nga një i mitur shqiptar, 16 vjeç.

Italiani tha se e kishte vënë re të vetmuar e në vështirësi në stacionin e Faenzas. 16-vjeçari, me vulë hyrjeje në Bashkimin Evropian nga Greqia, iu tha policëve se ishte larguar nga i ati që e rrihte, se mbërriti në Itali fshehurazi dhe hipi në tren, duke ndaluar rastësisht në Faenza, kur gjithashtu rastësisht takoi 52-vjeçarin që e ndihmoi.

Duke pasur parasysh faktin që i mituri ishte i veshur mirë, detaj në kontradiktë me udhëtimin e gjatë që kishte bërë, për më tepër në kushte të vështira, e duke dëgjuar edhe deklaratat e shoqëruesit, të të cilat iu dukën kontradiktore, policitë dyshuan rreth vërtetësisë së asaj çka dëgjuan.

Pas verifikimeve rezultoi që dyshimet ishin të drejta. Shqyrtimi i kamerave të sigurisë nëpër qytet tregoi praninë edhe të një personi të tretë, i cili u largua nga dyshja pranë komandës së policisë lokale.

Hetime më të detajuara zbuluan që e gjithë familja e shqiptarit ishte e përfshirë në organizimin e udhëtimit në Itali, ku ai qëndroi te një i afërt për disa ditë në Castel Bolognese, në pritje që 52-vjeçari italian të ishte i gatshëm për ta shoqëruar në polici.

I mituri u shoqërua në zyrat e policisë nga italiani që ishte i huaj për të riun, e gjitha kjo për ta bërë më të besueshëm versionin e tyre, i cili, si në shumë raste të tjera të trajtuara nga policia, rezultoi fals. Hetuesit zbuluan edhe identitetin e personit të tretë, i cili ishte në makinë dhe u largua pas mbërritjes në komandë.

Bëhet fjalë për një 26-vjeçar shqiptar, rezident në Castel Bolognese, i afërm i 16-vjeçarit, i cili e mbajti në shtëpinë e tij për disa ditë, në marrëveshje me familjarët.

Ditët e fundit, të tre personat janë denoncuar në autoritetet kompetente gjyqësore për krimin e mashtrimit të rëndë në dëm të shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco