Ngjarja që tronditi Tiranën/ Vrau babanë me çekiç, ja çfarë thane në gjyq dëshmitarët

Ngjarja që tronditi Tiranën/ Vrau babanë me çekiç, ja çfarë thane në gjyq dëshmitarët

19:51, 24/03/2019
A+ Aa A-

Dhuna dhe ofendimet duket se kanë shtyrë Selman Alijën të vrasë babanë e tij, Fejzi Alija, dhjetorin e 2017-s. Në Gjykatën për Krime të Rënda është duke u zhvilluar procesi gjyqësor në ngarkim të 28-vjeçarit, ndërsa përpara Gjykatës kanë dhënë dëshminë e tyre familjarët e tij.

Këta të fundit kanë pohuar në Gjykatë se pas fejesës, pa dëshirën e tij, marrëdhëniet mes tyre ishin acaruar dhe shpesh kishin pasur debate. Nga dëshmia e mamasë së të riut dhe motrës së tij, flitej për një histori keqtrajtimesh psikologjike dhe fizike të zgjatura në kohë. Ditën e ngjarjes, Selan Alija ka dëshmuar se babai i kishte thënë se nusen e tyre do ta ndanin bashkë dhe për këtë, ai duhet të martohej, pavarësisht se nuk kishte dëshirë. Ndërsa familja e ka marrë vesh për krimin një ditë më vonë, kjo pasi i riu tentoi të zhdukte trupin, duke e hedhur në Liqenin e Farkës.

Megjithëse ngjarja ishte e rëndë dhe makabre, familjarët e tij nuk e kanë braktisur, ata kanë qenë në seancat gjyqësore dhe kanë paguar një avokat për të. Alija është arrestuar në Kamzë, kur pas një udhëtimi deri në Kukës pas vrasjes ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij. Menjëherë pas arrestimit, Selman Alija e ka pranuar atë që kishte bërë, duke treguar edhe detaje për ngjarjen. “Mbrëmjen e 22 dhjetorit, rreth orës 17:00, kur ishte errësuar, isha në derën e avllisë së shtëpisë, në portën kryesore, së bashku me babanë, Fejzi Alija, ku po shkarkonim disa materiale për shtëpinë nga një zetor. Këto materiale i kishim marrë te motra e babit.

Në kohën që po shkarkoja thasët me materiale nga mjeti, babai më ka thënë që nusen tënde e kemi përgjysmë së bashku, në këtë moment e kam goditur nga pas koke me një çekiç hekuri, e kam goditur 4 herë me çekiç dhe pasi ka rënë në tokë, e kam mbështjellë me një tapet të vjetër, të cilin e përdornim për të mbuluar makinën. E kam hipur në makinën e vëllait, i cili jeton jashtë shtetit. Kam futur trupin e babait në bagazh dhe më pas jam nisur me makinë në drejtim të liqenit te varrezat. Kur kam arritur te liqeni, kam hapur bagazhin për të nxjerrë trupin e babait, por ai po lëvizte dhe e kam goditur njëherë në pjesën e përparme të ballit. Pastaj e kam nxjerrë trupin nga bagazhi i makinës dhe e kam futur deri në gjysmë të trupit në ujë dhe e kam lëshuar trupin në liqen”, ka dëshmuar i riu.

TELEFONATA

Dëshminë e saj para Gjykatës e ka dhënë edhe nëna e të pandehurit, e cila ka treguar komunikimin e vajzës së saj me Selmanin, pas ngjarjes. Kështu, ndërkohë që ajo e kishte pyetur në lidhje me vendndodhjen e të atit, ai i ishte përgjigjur se kë donte më shumë babanë, apo atë. “Në datën 23.12.2017, në mëngjes e ka telefonuar vajza Afërdita dhe Selmani e hapi telefonin. Kur ajo e ka pyetur se ku ishte babai, ai i ka thënë se ti e do më shumë atë apo babanë që e ka torturuar gjithë jetën dhe i ka thënë: ‘ik se unë jam tre orë larg dhe do vij vetëm për Vitin e Ri, ose pas Vitit të Ri’ dhe ia mbylli telefonin”, tha nëna e Selman Alijës. Kjo e fundit, në dëshminë e dhënë ka pranuar se Fejzi Alija e kishte keqtrajtuar Selmanin, ndërsa e ofendonte shpesh atë. Gjithashtu, dëshmitarët kanë treguar se edhe në raste të tjera, viktima i kishte thënë se nusen e tij e kishin bashkë, përgjysmë.

KALLËZIMI

Ndërkohë, kanë qenë disa gjurmë gjaku, që kanë bërë familjarët e tjerë të dyshonin se në banesën e tyre mund të kishte ndodhur një krim. Në dëshminë e saj, nëna e të pandehurit tregon se në oborr ka parë gjurmë gjaku dhe u ka treguar fëmijëve të saj, të cilët kanë shkuar në Polici dhe kanë bërë denoncimin. “Pasi po kontrolloja rreth e rrotull nëpër shtëpi në një tokë aty afër, kam gjetur gjurmë gjaku dhe u thashë fëmijëve për këtë. Më pas, vendosëm të njoftonim Policinë. Pas kësaj, djali dhe dhëndri telefonuan Policinë dhe më pas shkuam në Komisariatin e Policisë nr.1. Aty kemi kallëzuar faktin që nuk e dinim se ku ndodheshin Selmani dhe Fejziu dhe u treguam edhe që kemi gjetur gjurmë gjaku te toka”, është shprehur ajo.

KONFLIKTET

Nëna e Selman Alijës, në dëshminë e saj ka treguar gjithashtu, se për një periudhë kohe, viktima dhe autori kanë pasur marrëdhënie jo shumë të mira me njëri-tjetrin. Më tej, tregoi edhe planet e 28-vjeçarit për të ikur në Gjermani. Sipas saj, Alija donte të emigronte si vëllai dhe të rregullohej financiarisht. “Djalin, Selmanin e ka fejuar babai i vet Fejziu, pa dëshirën e tij me një vajzë nga zona e Kukësit dhe që nga dita e kësaj fejese, djali Selman Alija nuk ka shkuar mirë me babanë e tij.

Për shkak të reputacionit të tij, se kishte qenë 3 herë i martuar, donte të mbante nusen e Selmanit për grua për vete. Selmani nuk ka dashur të fejohet dhe i ka thënë se donte të largohej në Gjermani te vëllai i tij dhe të rregullohet ekonomikisht dhe pastaj të martohet”, tha ajo. Gjithashtu, kjo shtetase ka deklaruar se gjatë kohës që punonin në shtëpi, Fejziu dhe Semani kanë pasur konflikte, pasi Fejziu ishte shumë i dhunshëm dhe e shante dhe ofendonte gjatë gjithë kohës. “Në datën 22 dhjetor, rreth orës 17:00, sapo ishte errësuar, ka shkuar në shtëpi Fejziu dhe Selmani dhe kanë shkarkuar disa pajisje të përdorura, të cilat i kishin marrë te motra e Fejziut”, tha ajo. Ndërkohë, pas rreth gjysmë ore kur ka dalë që t’i thërrasë për të ngrënë darkë, pa që nuk ishin në oborr dhe pasi ka kërkuar në lagje i ka rënë telefonit të tyre, por nuk i dilnin.

KËRKIMI

Pas kërkimeve që kishin bërë në banesën e tyre, vëllai i të pandehurit dhe kunati i tij kanë dalë të kërkojnë për ata në spitalet e Tiranës. Sipas dëshmisë së dhënë nga motra e viktimës, vëllai i saj dhe bashkëshorti, me idenë se mund të ishin plagosur gjatë punës, kanë shkuar në spitale dhe kanë pyetur, por nuk i kanë gjetur. “Vëllai dhe nëna kanë shkuar për të fjetur gjumë dhe kur janë zgjuar në mëngjes nëna i ka thënë se kishte gjetur disa njolla gjaku në pjesën e tokës në oborr, si dhe në oborr mungonte automjeti tip ‘Polo’, me ngjyrë gri. Më pas, pasi ka dalë në oborr dhe ka parë njollat e gjakut që i ka treguar nëna, vëllai më ka njoftuar mua dhe bashkëshortin që ndodheshim në Baldushk dhe ka dalë të na presë dhe na ka marrë.

Më ka lënë mua në shtëpi dhe ka dalë së bashku me bashkëshortin në spitalin ‘Nënë Tereza’, Spitalin Ushtarak, për të parë se mos ishin aty se mos ishin dëmtuar kur po shkarkonin gjërat nga dum-dumi. Gjatë kësaj kohe i ka telefonuar babit, po numri i tij dilte i fikur. Po kështu ai i ka telefonuar vëllait Selmanit dhe ai ia ka hapur telefonin vetëm rreth orës 13:00 të drekës dhe pasi e ka pyetur se ku ndodhej, ai i ka thënë “jam shumë larg dhe kam bërë fjalë me babin, kam marrë makinën dhe kam ikur dhe do të vij në shtëpi pas Vitit të Ri”, ka dëshmuar ajo.

GJYQI

Procesi gjyqësor ndaj Selman Alijës është në fazën e marrjes së provave të Prokurorisë, ndërsa u lexuan edhe provat shkresore. Ndërkohë, prokurori Besnik Muçi, edhe pse ishte mbyllur marrja e dëshmive, kërkoi edhe një dëshmitar të fundit, i cili doli nga rrethanat e reja gjatë marrjes së dëshmive të para. Nga ana tjetër, avokatja e Alijës, duke pretenduar se ngjarja ka ndodhur në kushte të rënda psikologjike të të riut, kërkoi të merrej dëshmia e ekspertëve që kanë bërë aktekspertimin e tij. Mbrojtja kërkon të vërtetojë, se e gjithë ngjarja është rezultat i një tronditjeje të rëndë psikologjike, pas diskutimeve që autori ka pasur me babanë e tij, viktimën Fejzi Alija. Panorama

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco