Gjakmarrja, mallkimi për fëmijët dhe ç'ndodh nëse një nënë fal ...

Gjakmarrja, mallkimi për fëmijët dhe ç'ndodh nëse një nënë fal ...

08:49, 09/03/2019
A+ Aa A-

Sa herë flitet për gjakmarrjen në Shqipëri, më së shumti i kushtohet rëndësi burrave dhe fëmijëve dhe shumë rrallë flitet për nënat. Ato mbajnë peshën e dhimbjes për birin e vrarë, jetojnë me frikën mbi krye se mund të humbin një të afërm dhe mbajnë barrën e sigurimit të nevojave jetike në familjet ku janë ngujuar burrat.

Elona Prroj drejtuese e Fondacionit “ Jo gjakmarrjes po jetës” pas vrasjes në emër të gjakmarrjes së bashkëshortit Dritan Prroj, pastor në Kishën Ungjillore në Shkodër, bashkë me familjen e tij e falin gjakun duke çuar në vend amanetin e pastorit. Zonja Prroj i jep jetë projektit të lënë në mes prej tij kundër gjakmarrjes. Punon me nënat në familjet e ngujuara me bindjen se kur fal një nënë falin të gjithë pas saj. Mimoza Picari raporton nga Tirana.

Elona Prroji nënë e dy fëmijëve, është një prej qindra grave në Shqipëri që gjakmarrja i ka trokitur në derë. I ka marrë bashkëshortin Dritanin në vitin 2010, Pastor në Kishën Ungjillore Fjala e Krishtit, në Shkodër, aty ku ky fenomen është më i prehtë.

“Xhaxhai i tij në një konflikt e sipër vret një djalë dhe në atë moment 25 burra të fisit të bashkëshortit tim, duke përfshirë këtu Tanin dhe djalin tim, u desh që të ngujohen për 5 vjet në shtëpi”- thotë Zonja Elona Prroj.

Elona bashkë me bashkëshortin Dritanin arrijnë të shkojnë nga ngujimi në Londër por kthehen, vetëm pas disa muajsh me një projekt për familjet në gjakmarrje. Dritani vendos të mos ngujohet më dhe punon për afro një vit, derisa një ditë vëllai i viktimës që xhaxhai i tij kishte vrarë merr hak dhe e qëllon duke dalë nga Kisha. Por një javë para së të vritej kish lënë një amanet
“Pi një kafe me vëllanë e vet dhe i kërkon që nëqoftë se ai do të vritej për gjakmarrje, ata duhet ta falnin gjakun e tij. Dhe vetëm një javë pas këtij takimi me vëllanë Tani vritet. Gjithë familja mblidhet së bashku për të çuar në vend amanetin e djalit të tyre, e vëllait të tyre. Në momentin që Tani vritet, 24 burra nga fisi i tij dalin të lirë, sepse gjaku u la me gjak”- thotë Elona Prroj, bashkëshortja e të ndjerit, pastorit Dritan Prroj.

Në një videomesazh gjatë kohës së ngujimit ai pati folur dhe vetë për faljen:

“Ajo çfarë kam mësuar është të fal pavarësisht pasojës dhe të dua armiqtë e mi përmes shkrimit të shënjtë”- ishte shprehur Dritan Prroj.

“Në momentin kur bashkëshorti im u vra, kishte në cantën e tij biblën dhe një projekt kundër gjakmarrjes. Ishte përgjegjësia ime për të vazhduar garën, luftën dhe punën. Bashkë më mua këtu mund të ishin shumë gra të tjera që janë të ngujuara, të cilat sakrifikojnë natë dhe ditë me frikën e vdekjes mbi krye dhe me të gjithë preokupimin e tyre për të marrë rolin e burrit dhe të gruas në shtëpi, për t’u përkujdesur për familjen dhe askush nuk i sheh, askush nuk i dëgjon, madje nuk e dinë që ato ekzistojnë dhe që janë aty duke mbajtur mbi shpinë barrën e gjakmarrjes. Kjo ishte një nxitje brenda meje për t’u ngritur për të mos u fokusuar tek dhimbja ime dhe tek vetja ime, por për t’u bërë zëri i atyre që nuk
flasin dot”- shprehet Elona Prroj.

Sa herë flitet për gjakmarrjen më së shumti mbahen në fokus burrat dhe fëmijët, dhe rrallë u është kushtuar vëmendje nënave dhe grave.

“Mund të përjetojnë edhe me keq se burrat sepse jo vetëm kanë frikë se do të humbasin dikë të dashur, por ju duhet përmes frikës së tyre të jenë praktike për të siguruar nevojat thelbësore të jetës”. Për të vijuar projektin e gjakmarrjes që bashkëshorti i kish lënë në mes, bashkë më Kishën Ungjillore fjala e Krishtit themelojnë fondacionin “Jo gjakmarrjes po jetës”. Elona e nis me nënat këtë mision dhe i drejton një pyetje nënës së vrasësit të bashkëshortit të saj, në marshimin kundër gjakmarrjes në tetor 2010.

“Sot dua t’i bëj një pyetje familjes së gjaksit dhe veçanërisht nënës së kësaj familje. A mendon se duke prerë në mes një jetë të pafajshme, e më tepër jetën e shërbëtorit të perëndisë, a mendon se duke lënë në mes të rrugës dy fëmijë jetim që sapo kishin dalë nga shkolla dhe prisnin babin e tyre t’i merrte, por që kurrë nuk e panë më, a mendon se në këtë mënyrë solle në jetë djalin tënd të vrarë 5 vite me parë? Ndoshta mendon se ke shëruar sedrën tënde por jam e
sigurt se ke trazuar ndërgjegjen, shpirtin dhe mendjen tënde.

Mesazhi im për këtë nënë është që ne si nëna jemi thirrur të japim jetë dhe jo të inkurajojnë fëmijët tanë të marrin jetën e dikujt tjetër”- tha Elona Prroj në tetor të vitit 2010 vetëm disa ditë pas vrasjes së bashkëshortit të saj.

E nisi me këtë bindje dhe shkoi shtëpi më shtëpi në familjet e ngujura për të biseduar me nënat. E vështirë për një grua në ato zona, por ajo vijoi nën atë që e quan trashëgimia e derës së hapur. Është munduar të veshë dhimbjen e nënës për birin e vrarë, duke e filluar nga shembulli i nënës së bashkëshortit të saj që gjeti forcë për të çuar në vend amanetin e djalit për të falur gjakun.

“Nuk kemi ndeshur ndonjë rast pothuajse të papërpunueshëm, që ka refuzuar të dëgjojë. Nënat që kanë humbur bijtë nuk kanë filtra apo nuk kanë mënyra se si të jenë të kujdesshme apo deri diku të mos jenë lënduese ndaj ambjentit të jashtëm për shkak se janë të lënduara dhe plot me dhimbje edhe vetë. Në çdo rast ne kemi zgjedhur që së pari të dëgjojmë dhe të mund të bëhemi bartës të këtyre nënave dhë ndërsa ato kanë derdhur kupën e tyre mbi ne atëherë mundohemi që përmes filtrave të kësaj dhimbje dhe kësaj kupe të mund t’ju flasim këtyre nënave” – u shpreh Elona Prroj.

Në qendrën e fondacionit “Jo gjakmarrjes dhe po jetës” Elona punon edhe me fëmijët e ngujuar në programe passhkollore, për t’i shkëputur nga mendimi se po rriten për të vrarë ose per t’u vrarë.

“I konsiderojmë këta fëmijë si serbator makine dhe në çdo moment që i kemi të mbushim depozitat e tyre me dashuri” rrëfen Elona Prroj.

Elona është një ndër 51 gratë dhe vajzat e librit Vajzat për Shqipërinë e autores Edlira Gjoni që portretizojnë 51 % të popullsisë ose 1 milion e gjysem femra në Shqipëri. I bashkon modestia, sakrifica dhe vetomohimi, thotë Zonja Gjoni.

“Dhe Elona e ka bërë këtë, ka zgjedhur të luftojë për jetën kundër vdekjes. Ka zgjedhur të punojë për gjakmarrjen duke u marrë jo me burrat por me nënat, sepse janë ato që vendosin nëse jeta do të vazhdojë apo do të mbetet aty” – tha Zonja Gjoni.

“Unë kam dëgjuar nëpër histori gjakmarrje se kur një nënë fal e gjitha pjesa tjetër rreth saj do arrijë të falë”- perfundon Elona Prroj, drejtuese e fondacionit “Jo gjakmarrjes po jetës”./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco