Shifrat e frikshme, vetëm gjatë fillimit të këtij viti janë vrarë 7 gra në Shqipëri

Shifrat e frikshme, vetëm gjatë fillimit të këtij viti janë vrarë 7 gra në Shqipëri

12:28, 08/03/2019

E njohur si dita ndërkombëtare e gruas, 8 Marsi diku festohet e diku protestohet, për më shumë të drejta e barazi gjinore. Por për Gentiana e Merisa Caushajn, Valentina Matën, Eva Lerën, Ervilma Seferin, Lirie Xhepën e Nazime Demollarin jeta u shua nga meshkujt e shtëpisë, burra, djem apo të afërm të tyre. Krime që mund të ishin parandaluar, ndërsa sot, emrat e tyre, janë në statistikat si i viktima të dhunës së burrave, dhe si një këmbanë alarmi se shumë mbetet ende për t’u bërë.

2019, nisi me një ngjarje tronditës. Më 2 janar, 34-vjecari Gazment Musta la të vdekur pas një sherri banal bashkëshorten e tij, Gentiana Caushaj dhe kunatën 18-vjeçare, Merisa Caushaj.

Më 14 janar Majlind Lala dhëndër në familjen Mata qëlloi për vdekje me armë vjehrrën e vjehrin e tij. Bujar Mata, 63 vjeç dhe gruaja e tij Valentina Mata, 52-vjeç u gjetën të vrarë në banesën e tyre në lagjen “Kristaq Mone”, ndërsa vajza e tyre e shokuar mori lajmin e kobshëm në Suedi, ku edhe kishte jetuar me ekzekutorin Majlind Lala.

Më 6 shkurt në Vlorë, 57-vjecari Teodor Lera i mori jetën gruas së tij, Eva Lera, 45 vjece, duke e mbytur me duar, nënë e tre fëmijëve. Krimi i rëndë në Vlorë ishte një tragjedi e paralajmëruar ashtu si shumë të tjera që kanë ndodhur në vend, vite me parë çifti Lera kishte përfunduar në polici, pasi Teodori i kishte çarë kokën gruas së tij dhe ishte arrestuar nga forcat e policisë. Por më pas bashkëshortja e tij Eva e kishte falur.

Vetëm 6 ditë më pas, më 12 shkurt, një tjetër grua, nënë e një vajze të mitur u vra nga bashkëshorti i saj gardist. 44-vjeçari, Alket Arapaj punonjës prej 21 vitesh i Gardës së Republikës vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36-vjeçare, Ervilma Seferi. Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit, ndërsa policia vuri në pranga burrin vrasës.

Më 14 shkurt, Lirie Xhepa rreth 49 vjeçe u gjet e masakruar në liqenin e Sharrës. Policia tha se ajo ishte viktimë e kunatit të saj, Dashamir Xhepa i cili ndër të tjera e kishte qëlluar me tre plumba në trup. Shkak i krimit dyshohej një lidhje intime mes tyre.

Vetëm pak ditë më parë, më 4 mars, 80-vjeçarja Nazime Demollari, mbeti viktimë nga djali i saj, Nazim Demollari, i cili për ironi të fatit mbante emrin e saj. 54-vjeçari mbyti me duar nënën e tij pas një sherri në banesë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco