Ekzekutoi kunatën dhe e hodhi në shkurre, autori flet në gjyq: Ja pse e vrava, dyshoja se …

Ekzekutoi kunatën dhe e hodhi në shkurre, autori flet në gjyq: Ja pse e vrava, dyshoja se …

19:10, 02/03/2019
A+ Aa A-

Gjykata për Krime të Rënda la në burg pa afat autorin e dyshuar të vrasjes së Lirie Xhepës, Dashamir Xhepën, vrasje e kryer rreth dy javë më parë.

Ngjarja që tronditi kryeqytetin në ditën e dashurisë, duket se ka motiv një konflikt për pronën, si dhe dyshimet se viktima kishte lidhje me persona të tjerë. Në seancën e djeshme u vlerësua masa edhe për personin që dyshohet se e ndihmoi atë të fshihej, për të cilin Gjykata nuk caktoi masë sigurie.

Prokurori i çështjes, Behar Dibra, kërkoi nga gjyqtarja Liljana Baku caktimin e “Arrestit në burg” pa afat për Xhepën, si dhe “Detyrim paraqitje” për shtetasin me inicialet M.S.. Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa mësohet se autori i dyshuar më herët ka pranuar krimin.

Ai ka thënë se ka qenë kërkesa për marrjen e disa pronave nga ana e viktimës, në cilësinë e të vesë së vëllait të tij, si dhe fjalët se ajo kishte lidhje të tjera duke cenuar nderin e familjes, që çuan në vrasjen 45-vjeçares, nënë e 4 fëmijëve. Ndërkohë, për rreth dy javë Xhepa ndenji në arrati, teksa u arrestua në një hotel në Peshkopi.

Mësohet se në hotel Xhepa është regjistruar me një emër tjetër, duke bërë që të mos pikasej për rreth 2 javë. Mirëpo, hetuesit kanë arritur të gjejnë vendndodhjen e tij në rrugë operative dhe në datën 26 shkurt bënë ndërhyrjen për prangosjen e tij. I pyetur për armën e krimin, Dashamir Xhepa ka thënë se nuk e mbante mend se ku e kishte lënë.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka paraqitur si prova një sërë dëshmish sa i takon marrëdhënies së viktimës me autorin e dyshuar, ndërsa më herët ata kanë pasur edhe një konflikt, po për arsye të pronës, ku Xhepa e ka dhunuar viktimën dhe djalin e saj. Referuar dyshimeve për një lidhje të tij me Lirie Xhepën, autori i dyshuar nuk e ka pranuar, megjithëse një gjë e tillë është dëshmuar edhe nga njerëz të tjerë.

NGJARJA

Ka qenë mëngjesi 14 shkurtit, kur u gjet trupi i viktimës Lirie Xhepa, pranë disa shkurreve në liqenin e Sharrës. Sipas informacioneve, 45- vjeçarja ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa për shkak të zvarritjes së trupit deri në shkurre, i cili ishte mbuluar me disa gazeta, kishte marrë edhe gërvishtje dhe dëmtime të tjera. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 13 shkurtit, kur dyshohet se viktima dhe Dashamir Xhepa kanë pasur edhe një konflikt verbal me njëritjetrin. Ndërkohë, dëshmi nga vendi ku banonte 45- vjeçarja dhe 39-vjeçari, flasin edhe për një lidhje intime mes tyre, si dhe për dhunë të vazhdueshme të Xhepës.

ARRESTIMI DHE AKUZA

Arrestimi i autorit të dyshuar Dashamir Xhepa u bë mëngjesin e 26 shkurtit në Peshkopi, ndërsa së bashku me të, në pranga u vu edhe një tjetër person, i cili dyshohej për përkrahje. Vendndodhja e Xhepës është lokalizuar pas informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e Policisë, shkruan Panorama.

Sipas Prokurorisë, 39-vjeçari duhet të përgjigjet para drejtësisë për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Armëmbajtje pa leje”, vepra penale që mund t’i kushtojnë shumë vite burg Xhepës. “Shërbimet e Policisë Tiranë, pas identifikimit të autorit të dyshuar të vrasjes së shtetases L.Xh., janë vënë në ndjekje intensive të tij. Në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë lokalizuan vendndodhjen e autorit të dyshuar, shtetasit D. Xh., dhe bënë kapjen dhe arrestimin e tij në qytetin e Peshkopisë, ku dhe strehohej”, njoftoi Policia.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco