Akulli dhe ngricat në Korçë, 40 persona përfundojnë me fraktura në spital

Akulli dhe ngricat në Korçë, 40 persona përfundojnë me fraktura në spital

17:03, 17/01/2019
A+ Aa A-

Ngricat dhe bora ka shkaktuar probleme edhe për banorët e Korçës të cilët janë mësuar me dimër të ashpër. Mjekët në spital tregojnë për shumë paciente që për shkak të rrugëve me akull kanë thyer këmbë e duar.

Urgjenca e spitalit të Korçës, prej fillimit të Janarit ka pritur dhe trajtuar mbi 40 raste të thyerjeve apo frakturave, pasojë e rrëzimit nga ngricat. Mosha më e prekur është ajo e mesme dhe të moshuarit, por nuk kanë munguar as dëmtimet e gjymtyrëve tek fëmijët.

“Pranë urgjencës së spitalit tonë, repartit të ortopedisë janë paraqitur afërsisht 41 persona me dëmtime të ndryshme që i përkasin rrëshqitjes në akull dhe i përkasin grupmoshave të ndryshme. Më të shtuara janë grupmoshat 35 – 45 vjeç”, tha Koço Mati, mjek ortoped.

Rrugët dytësore në Korçë janë të mbuluara nga akulli. Këmbësoret prej dy javësh po lëvizin me vështirësi megjithëse janë mësuar me acarin dhe borën. Kujdesi nuk i ka shmangur rastet e lëndimeve, nga rrëshqitjet e pashmangshme.

Trashësia e akullit është e konsiderueshme dhe qytetarët nuk e heqin dot vetë edhe pse janë përpjekur të pastrojnë sa munden. Ata janë të irrituar me bashkinë që sipas tyre nuk hedh kripë. Në kushtet kur akulli vazhdon të jetë prezent ne çdo lagje, mjeku këshillon të tregohet kujdes me ekspozimet jashtë. Të evitohen lëvizjet dhe në çdo rast të lëndimit të paraqiten menjëherë tek specialisti. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco