Edhe Returs shkruan për Balilin: Dorëzohet `Zoti i Drogës`!

Edhe Returs shkruan për Balilin: Dorëzohet `Zoti i Drogës`!

11:10, 16/01/2019
A+ Aa A-

Që përpara vetëdorëzimit të tij, emri i Klement Balilit ka përbërë lajm për shumë media ndërkombëtare, kjo edhe pas etiketimit që i bëri CNN grek si “Eskobar i Ballkanit”. Lajmin e dorëzimit të djeshëm të tij e ka pasqyruar edhe agjencia e madhe shtetërore britanike, “Reuters”, e cila mbulon ngjarje të rëndësishme botërore.

Në artikullin kushtuar këtij zhvillimi në Shqipëri mes të tjerave shkruhet se, “Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Shqipëri u dorëzua në polici të martën pas pothuajse tre vjetëve, pasi akuzohej prej autoriteteve shqiptare për kontrabandë të narkotikëve nga Greqia fqinje. Klement Balili kishte shmangur kapjen që nga maji i vitit 2016, falë rrjetit të tij të mbështetjes në zonën jugore bregdetare të Sarandës dhe lidhjeve të dyshuara politike, duke hedhur dyshime mbi vendosmërinë e Shqipërisë për devotshmërinë në luftimin e bosëve të mëdhenj të krimit. Në shkurt të vitit 2017, presioni i aleatëve të saj perëndimor e detyroi Shqipërinë që të thërriste këshillin e saj të sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e aktivitetit të Balilit, pasi rrjeti i tij i drogës më tutje kishte gjetur përhapje edhe në vende fqinje, por edhe në shtete aleate të NATO-s”.

Gjithashtu në shkrim citohet  ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili  tha se Balili u dorëzua dhe e konsideroi këtë një “hap të mirë të policisë”. I pyetur se çfarë ka kërkuar Balili në shkëmbim të këtij vetë dorëzimi ministri deklaroi se, “Ai kërkoi një proces të drejtë ligjor”.

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu shpesh në thirrjet e tij publike kishte deklaruar se Balili ishte një element që duhej vënë përpara drejtësisë. Balili ka mohuar çdo keqbërje të mundshme, edhe pse ishte vënë nën akuzë për kontrabandimin të 700 kilogramë kanabis në Greqi. Avokati i Balilit, Theodhori Sollaku tha se provat ndaj Balilit ishin të dyshimta. Balili, 48 vjeç ka qenë më herët edhe drejtor i Drejtorisë së Transporteve në Sarandë. Aty ai ka ngritur një hotel luksoz. Në artikull thuhet se Balili dyshohet se kishte lidhje politike në vend dhe se konsiderohet “Zot I drogës”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco