Skandali i Unazës së re, dalin emrat e të dyshuarve të parë

Skandali i Unazës së re, dalin emrat e të dyshuarve të parë

16:43, 18/12/2018
A+ Aa A-

Prokuroria e Tiranës ka dërguar fletëthirrjet e para për skandalin e Unazës së Re.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se përfaqësuesit ligjor të firmës “DH Albania” Avdjol Dobit i është dërguar fletë-thirrje për t’u paraqitur të mërkurën në Prokurori. Ende 26-vjeçari, që fitoi tenderin prej 18 milionë Eurosh, nuk ka njoftuar se do të jetë prezent. Fletë-thirrja i është dërguar në adresën e biznesit të tij. Mësohet se ai do të pyetet në lidhje me të paktën katër dokumentet e falsifikuar në dosjen që u shpall fituese për tenderin 18 milionë Euro për ndërtimin e mbikalimit tek sheshi Shqiponja, si pjesë e lotit të parë të Unazës së Madhe.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se “DH Albania” ka falsifikuar bilancet, ditën e regjistrimit, një certifikatë të Sekretarit të Shtetit në Delawere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe noterizimin e dokumenteve po në këtë shtet, nga një noter i cili rezulton se nuk ekziston.

Burime nga organi i akuzës konfirmuan se deponime për këtë aferë do të japë edhe Xhevahire Brahaj, noterja që ka kryer noterizimin e dokumenteve të “DH Albania” në vendin tonë.

Në pyetje do të merret edhe përkthyesja Shenda Kruja, e cila ka përkthyer dokumentet me të cilat u fitua tenderi, ndonëse nuk e ka tagrin ligjor për ta bërë, pasi nuk figuron në listën e përkthyesve ligjorë të Ministrisë së Drejtësisë.

Hetimet po drejtohen nga prokurorja e çështjes, Elisabeta Ymeraj, e cila pritet të thërrasë për të marrë në pyetje edhe zyrtarët që kanë kryer procedurat e tenderimit.

Mësohet se Prokuroria po heton edhe dy lotet e tjera të Unazës së Re, pasi ka dyshime se dhe mund të jetë konsumuar vepra penale e shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Sipas Prokurorisë në këto dy pjesë, një kompani rezulton të jetë fiktive në tenderim pasi nuk ka bërë asnjë ofertë. Bëhet fjalë për kompaninë “Vëllezërit Hysa”, e cila ka marrë pjesë në të tre lotet, por nuk ka bërë asnjë ofertë. Nga ana tjetër, kompania e vëllezërve Hysa rezulton të jetë nënkontraktore për të tre lotet dhe është ajo që po kryen realisht punimet.

Paralelisht Prokuroria është duke kryer veprime të njëjta hetimore edhe për tenderin tjetër 12 milionë Eurosh të fituar nga “DH Albania” nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

gramoz18/12/2018 17:38

Prokuroria lodhet kot me keta anonime qe ka thirrur. Fallsifikatoret jane ne drit te diellit, me emra konkrete.1edvin qenefi, 2 damjon sarasvatiçandra, 3 afrim hajduti ARRSH. Keta jane 3 mosketjeret e supervjedhjes te unaza e re.

Shto koment

Denonco