Ankimuan rezultatet e konkursit, gradohen edhe 30 ‘Kryekomisarë’ të tjerë pas rivlerësimit

Ankimuan rezultatet e konkursit, gradohen edhe 30 ‘Kryekomisarë’ të tjerë pas rivlerësimit

18:00, 12/12/2018
A+ Aa A-

Sikurse konkursi i anuluar për gradën “Komisar”, edhe për konkursin e “Kryekomisarëve” pati pretendime për parregullsi, edhe pse ndryshe nga i pari, ky testim nuk u anulua e më pas të kryhej ritestim siç ndodhi në rastin e parë.

Megjithatë, shumica e oficerëve që humbën testimin, në mes të 230 oficerëve që nuk arritën të grumbullonin pikët e nevojshme, bënë ankimim, madje kërkuan rikorrigjim, në kushtet kur iu mohua kërkesa e parë për të parë vetë tezën e tyre. Të paktën deri tani, ndonëse ka edhe dy ditë nga mbyllja e procesit të rivlerësimit, janë shpallur fitues edhe 30 oficerë të tjerë, që në rezultatet e mëparshme rezultonin humbës, raporton Panorama.

Deri tani numri i oficerëve që kanë fituar gradën “Kryekomisar” ka shkuar në 60. Megjithatë, kandidatëve u është komunikuar se edhe në përfundim të këtij procesi, kur të shpallen zyrtarisht rezultatet, kanë mundësinë e apelimit. Disa prej tyre mendojnë se ka kaluar afati i apelimit, por zyrtarisht mësohet se afatet e apelimit nisin nga dita kur bëhet shpallja zyrtare e rezultateve, që mund të afishohen brenda 2 ditëve. Deri tani, rezultatet e publikuara sipas burimeve nga Akademia e Sigurisë janë marrë në rrugë informative dhe nuk kanë qenë zyrtare, pasi kishte nisur procesi i rivlerësimit.

Disa prej oficerëve që nuk arritën të fitonin në konkursin për gradën “Kryekomisar” kishin pretendime se gjithçka ndodhi nga ndryshimi i formatit të testit. Ata besonin se ishin penalizuar nga ky ndryshim i minutës së fundit, që ka ndodhur më 12 nëntor, pasi ata janë futur për të dhënë provimin në sallat e Akademisë së Sigurisë.

Të përgatitur për të marrë përgjigjet brenda ditës, pasi në dijeninë e tyre testi përbëhej nga 100 pyetje me alternativa, ata janë gjendur në befasi kur në fletën përpara kishin edhe 5 pyetje me shtjellim. Ndërsa iu bë e ditur se ishin pikërisht pyetjet me shtjellim ato që kishin peshën më të madhe, pasi vlerësoheshin me 60 pikë, ndërsa 50 pyetjet me alternativa vlenin 40 pikë. Në listën ku janë shpallur rezultatet e këtij konkursi bien në sy disa emra oficerësh që kanë arritur të marrin pikët e plota në 50 pyetjet me alternativa, që korrigjohen në mënyrë elektronike me “Scantron”.

Ndërsa në pyetjet me alternativa janë vlerësuar minimalisht. Kandidatët pretendonin se përgjigjet e tyre edhe mund të jenë fshirë me gomë, duke qenë se në provime të tilla përdoret lapsi. Për këtë arsye kërkonin që t’i shihnin testet, për të kuptuar nëse është bërë manipulim apo jo, edhe pse deri tani u është refuzuar kjo kërkesë. Këtu kanë nisur edhe dyshimet e tyre për një vlerësim jo të drejtë. Por rikorrigjimi pas ankesave ka rezultuar në favor të disa prej tyre. Ashtu siç pretendonin oficerët, kishte pasur gabime në korrigjim dhe përveç 30 fituesve të parë, rezultuan fitues edhe 30 oficerë të tjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco