Dorian Protoduari flet nga paraburgimi: Edi Rama ta harrojë se mund t’i marrë ato prona

Dorian Protoduari flet nga paraburgimi: Edi Rama ta harrojë se mund t’i marrë ato prona

19:25, 29/11/2018
A+ Aa A-

Dorian Protoduari është një nga të arrestuarit e protestës së banorëve të “Astirit”, protestë e cila degjeneroi në përdorim dhune para Kuvendit të Shqipërisë, ku u plagos edhe efektivja e forcave “Shqiponja” Ina Nuka.

Në një lidhje telefonike për televizionin “Fax News”, Protoduari tha se janë larguar me qëllim për në paraburgimin e Fushë Krujës, për t’i mbajtur ata larg Tiranës dhe zhvillimeve.

“Ne jemi në paraburgimin e Fushë Krujës, për të na larguar sa më shumë nga Tirana, nga njerëzit tonë. Jemi shumë mirë, të dënuarit e tjerë na kanë pritur shumë mirë na quajnë si hero”, tha ai.

Më tej ai i bëri thirrje kryeministrit Rama, se nuk do të mund ta marrë pronën pa shkelur mbi trupat e tyre.

“Nuk e kuptoj prokurorinë dhe Gjykatën tonë se në çfarë ligji bazohen. Unë isha si të gjithë të tjerët, por pa asnjë lloj prove më hiqet liria. Kudo që të jem, jo vetëm nga burgu, i bëj thirrje Edi Ramës, se ta harrojë se ato prona mund t’i marrë. Ai do t’i marrë vetëm kur të kalojë mbi trupat tonë. Po bën arrestime politike, por nuk do t’ia dalë jo vetëm ai por as Erion Veliaj e as Afrim Qendro”, tha ai.

Në vijim ai shtoi se, “Po trajtohemi shumë mirë, sepse e dinë që jemi të pafajshëm, sepse kemi dalë për të mbrojtur pronat tona. Thellë-thellë ata janë me ne, por janë me uniformë.

Jemi mirë, por Danieli është i dëmtuar më shumë nga të gjithë por po merr mjekime. Ai vijon trajtimin mjekësor nga stafi mjekësor i paraburgimit të Fushë Krujës.

Unë kam pasur disa akuza. Në fakt s’di as vetë se çfarë akuzash, por një ndër to është ajo e plagosjes së rëndë me dashje. Unë nuk e di se ku e kam bërë këtë plagosje.

Është e kotë që ta çoj në Apel, pasi e di se sërish do të jepet masa arrest me burg, sepse në të kundërt do të isha liruar si të tjerët”.

Duke iu përgjigjur pyetjes, se a u është bërë presion për tu tërhequr nga protesta, ai tha:

“Unë jam arrestuar te spitali Ushtarak, ku po vizitoja nënën time që ishte dhunuar nga policia.

As prangat nuk më kanë hequr në ambientet e shoqërimit. Nuk më kanë lënë as të komunikoj me familjen. Nuk më kanë dhënë as bukë për të ngrënë. Kisha 20 policë mbi kokë. Më bënin shumë presion psikologjik. As vetë nuk e di se çfarë kam firmosur atje aq shumë trysni e presion psikologjik që kam pasur. Që në ditën e parë ka pasur presion për tu tërhequr nga protesta”.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco