Kokaina nga Ekuadori në Australi, grekët ia faturojnë përgjegjësinë shqiptarit

Kokaina nga Ekuadori në Australi, grekët ia faturojnë përgjegjësinë shqiptarit

17:06, 15/11/2018
A+ Aa A-

Shtetasit grekë, të arrestuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Ekuadori në Australi, janë përpjekur t’ia faturojnë përgjegjësinë shqiptarit, duke tentuar shfajësimin e vetes së tyre. Një prej tyre, i arrestuar gjatë operacionit antidrogë “Impacto 444” ku u kapën 382 kg kokainë është shfajësuar para autoriteteve greke duke mohuar rolin e tij në organizatën kriminale. Vasilis Spiridonakos ka deklaruar se me grekun tjetër Apostolis Leusis bashkëpunon me shit-blerje makinash. Ai ka thënë se në Ekuador ka shkuar për kakao por se përfaqësuesit e kompanisë së kakaos i kanë kërkuar të fotografojë një mjet lundrues dhe fotot t’ia jepte një shqiptari në Greqi.

 “Kam shkuar në Ekuador për të mbyllur një punë për transport të kakaos. Kur shkova aty, përfaqësuesit e kompanisë së kakaos me kërkuan që të fotografoja një mjet lundrues dhe fotografitë t’ia dorëzoja një shqiptari në Greqi. Gjithashtu ata më kërkuan t’ju gjeja një mjet lundrues dhe një avokat që të bënin dokumente greke. Kur u ktheva në Greqi, kuptova që diçka e çuditshme po ndodhte dhe se mjeti lundrues nuk do transportonte kakao por drogë dhe avash-avash u distancova nga njerëzit e kompanisë.

Të njëjtën gjë më tha dhe shoku im që merret me shit-blerje makinash. Por ku u largova, filluan kërcënimet nga njerëzit që njoha në Ekuador”, është shprehur Vasilis Spiridonakos.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe greku tjetër, ndërsa shqiptari i arrestuar Ilia Papa nuk ka folur.

Prej shtatorit 2018 e deri ditën e arrestimit, të dyshuarit kanë krijuar një organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës nga Ekuadori drejt Australisë nën drejtimin e dy grekëve Apostolis Leusis dhe Vasilis Spiridonakos si dhe shqiptarit Ilia Papa.

Prej 10 nëntorit 2018 deri 12 nëntor 2018, pjesëtarët ekuadorianë të organizatës kanë siguruar sasi kokaine, siç rezulton nga sekuestro 382 kg, të cilën e transportuan për llogari të krerëve të grupit në Greqi, në velierën “Sunset” me qëllim transportin nga Ekuadori në Australi.

Në 13 nëntor 2018, ata u kapën në velierën “Sunset” me 322 pako që përmbanin 382 kg kokainë.

Siç rezulton, krerët e grupit kishin planifikuar prej muajit shtator, trafikimin nga Ekuadori përmes velierës “Sunset” me flamur Ekuadori me nr. TN-06-0534, një sasi prej 500 kg kokainë. Në mes të muajit tetor, ata kryen procedurat e nevojshme për organizmin e udhëtimit të velierës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco