Qëllohet me armë shtëpia e 11-vjeçares që akuzoi mësuesin për ngacmim, nëna rrëfen makthin e fëmijës

Qëllohet me armë shtëpia e 11-vjeçares që akuzoi mësuesin për ngacmim, nëna rrëfen makthin e fëmijës

14:00, 19/09/2018
A+ Aa A-

Është rikthyer sërish në vëmendje ngjarja e fillimit të qershorit ndodhur në fshatin Luftinjë të Memaliajt, ku një 11-vjeçare akuzoi mësuesin e saj 63- vjeçar për ngacmim seksual.

Familjarët e të miturës kanë njoftuar Policinë për të shtëna armësh në afërsi të banesës së tyre. I ati i vajzës 11-vjeçare, Besnik Muçodemi, tregon se ka qenë e shoqja ajo që fillimisht ka dëgjuar të shtënat shumë pranë shtëpisë së tyre.

“Kishim ditëlindjen e mbesës dhe po e festonim. Gruaja doli jashtë të mblidhte ca rroba. Ishte rreth orës 23:00, kur dëgjuam të shtëna. U ula barkas në shesh, fikëm dritat. U trembëm. Gjuajtën dy herë. Njoftuam Policinë që erdhi që mbrëmë”, tregon ai.

Burime zyrtare nga Policia konfirmojnë për gazetën “Panorama” se nuk janë gjetur gëzhoja apo shenja të shtënash në afërsi të banesës, por ngjarja është ende në hetim. Prindërit e të miturës dyshojnë se autorët kanë lidhje me mësuesin e vajzës, i cili mund ta ketë ndërmarrë këtë akt në shenjë hakmarrjeje.

Prej publikimit të ngjarjes, prindërit e kishin larguar vajzën në Fier te të afërmit e tyre. Ajo u rikthye në banesë një ditë më parë, rreth 4 muaj pas ngjarjes. Të shtënat e armëve shumë pranë banesës së tyre, pikërisht një natë pas kthimit të 11- vjeçares në banesë, i shtyjnë prindërit të dyshojnë se kanë lidhje me ngacmimin seksual të së bijës nga mësuesi me inicialet M. D.. Deri më sot, nga pala e akuzuar, nuk ka pasur asnjë deklarim në lidhje me pretendimin e familjarëve të të miturës.

“Nuk po na jepet e drejta e fëmijës. Po mbrohet një kriminel, duke dhënë para e me miq. Ne duam të drejtën deri në fund”, thotë i indinjuar babai i 11-vjeçares. Ai pohon se e bija është takuar me psikologen vetëm një ditë më parë, prej momentit të publikimit të ngjarjes, ndërsa e ëma thotë se e bija rri vetëm në dhomë dhe shmang komunikimin me të afërmit.

“Vajza nuk na flet, rri në dhomë vetëm, sheh televizor e luan me kukulla”. Ngjarja e rëndë është bërë publike në 8 qershor të këtij viti, kur prindërit e të miturës e mësuan gjithçka pas një telefonate anonime. Pas presionit të prindërve, e mitura rrëfeu se abuzohej prej dy vitesh nga mësuesi i saj. Pas denoncimit të bërë nga familja e vajzës, mësuesi 63- vjeçar është arrestuar, por më pas u la i lirë për mungesë provash.

Gjykata argumentoi se nuk kishte asnjë provë që e implikonte mësuesin në këtë ngjarje, ndërsa çështja, siç mësohet, është në hetim. Por prindërit e të miturës kërkojnë tashmë arrestimin e mësuesit, prej të cilit ata pohojnë se janë detyruar ta largojnë vajzën te të afërmit e tyre në Fier. Pas denoncimit të prindërve, Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër e liron mësuesin 63-vjeçar me “detyrim paraqitje”, vendim që ende nuk pranohet nga familjarët e 11-vjeçares.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco