Shqiptari Besjan Muja, i konsideruar si një ndër figurat kryesore të bandës së trafikantëve që qëndronte pas drogës me vlerë 750 mijë paund, të kapur në Gloucestershire, është dënuar me 2 vjet burg, raportojnë sot mediat britanike.
10 persona u arrestuan në operacionin e policisë në disa fabrika kanabisi dhe në prona që kontrolloheshin nga kjo bandë, në Gloucester dhe Cheltenham në 11 Tetor të vitit të shkuar.
Pjesë nga ky operacion u transmetuan edhe në programin e Jeremy Kyle, The Kyles Files, që transmetohet në kanalin britanik ITV.
Të gjithë të arrestuarit u dënuan me burg, pasi pranuan akuzat për prodhim të drogës së Klasit B dhe akuza të tjera.
I fundit që u burgos ishte shqiptari Besjan Muja. 31-vjeçari u dënua me 2 vjet heqje lirie nga Gjykata e Bristol të premten e shkuar.
Teksa dha pretencën në Prill, prokurori Ed Hetherington e përshkruajti atë si një prej figurave kryesore të kësaj bande, sëbashku me shqiptarët e tjerë Elis Gashi, Dardan Horhaj dhe Jeton Muja.
© SYRI.net