1 ton kokainë, policia gjermane tregon si ra në gjurmët e bandës shqiptare

1 ton kokainë, policia gjermane tregon si ra në gjurmët e bandës shqiptare

13:52, 16/05/2018
A+ Aa A-

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann doli në një konferencë për shtyp pas sekuestrimit të një sasie prej rreth 1 ton drogë në këtë land të Gjermanisë.

Herrmann tha se janë arrestuar 12 shqiptarë, disa prej tyre banorë në Gjermani.

Goditja spektakolare e këtij grupi e ka zanafillën disa muaj më parë.

Në shtator të vitit të shkuar, në kutitë e bananeve nëpër disa supermarkete të Gjermanisë, u zbuluan qese me kokainë.

Pas kontrollit, policia gjeti rreth 180 kg kokainë.

Pikërisht këtu nisi hetimi për të zbuluar se nga vinte kjo kokainë.

Gjurmët i çuan hetuesit gjermanë në Amerikën e Jugut.

Atje, trafikantët e drogës e fusnin kokainën nëpër kutitë e bananeve, akoma të papjekura.

Frutat transportoheshin me anije dhe më pas me kamionë shpërndaheshin nëpër Gjermani ku vendoseshin nëpër magazina për pjekjen përfundimtare.

Pikërisht në këto momente ndërhynin personat e armatosur, që merrnin drogën e tyre.

Policia vëzhgoi skemën dhe ndërhyri vetë, duke kapur rreth 950 kg kokainë. Sipas ekspertëve, ajo ka një shkallë pastërtie prej 90 përqind.

Kjo kokainë natyrisht që shumëfishohet kur të dalë në treg, duke sjellë miliona.

Pasi kapën kokainën, policia priti në një magazinë në Hamburg për të kapur edhe personat e bandës.

Pak pas mesnatës, në magazinë erdhën persona të armatosur, që morën kokainën dhe u nisën drejt Holandës.

Ky është momenti kur forcat speciale ndërhyjnë dhe arrestojnë autorët, që me vete kishin 180 kg kokainë. Atyre iu sekuestruan edhe dy pistoleta dhe 30 mijë Euro.

Kontrolle u ushtruan edhe në banesat e tyre në Hamburg dhe Hanover. Në total u arrestuan 12 persona, shumica shqiptarë.

Tashmë policia ka nisur hetimet për të zbuluar se kush qëndron pas tyre, për të ndaluar këtë trafik milionash.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco