Vrasja në Kamëz, marketi kishte kamera, grabitësit kërcënuan fqinjët, ‘do ju vrasim edhe juve’

Vrasja në Kamëz, marketi kishte kamera, grabitësit kërcënuan fqinjët, ‘do ju vrasim edhe juve’

10:16, 26/04/2018
A+ Aa A-

Një ditë pas grabitjes në Kamëz policia ka të tjera prova që mund ta çojnë drejt kapjes së dy autorëve të dyshuar të ngjarjes, ku mbeti i vrarë Agim Buçi, 53 vjeç dhe u plagos bashkëshortja e tij Merita Buçi, 44 vjeçe.

Ndonëse e gjithë rruga ishte në errësirë të plotë, duke iu krijuar mundësi autorëve për t’u larguar ajo që mund të çojë në identifikimin e tyre janë pamjet e kamerave të sigurisë të vetë dyqanit të çiftit Buçi. Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të vendosura brenda biznesit dhe po i analizon për të pasur një imazh të autorëve të krimit. Po kështu sot po bëhet sërish këqyrja e vendit të ngjarjes me dritë natyrale për të gjetur gëzhojën e dytë, pasi e para është gjetur pas ngjarjes.

Marketi “Gerti”, shënjestër e grabitësve ku ndodhi edhe përleshja e çiftit Buci me autorët ndodhej në oborrin e shtëpisë së çiftit që kishin 4 fëmijë.

Dy autorët sipas dëshmive të para ishin të veshur me bluza sportive me kapuç, ndërkohë që kishin vendosur edhe kapele për t’u maskuar sa më mirë. Në momentin kur grabitësit e armatosur janë futur brenda në dyqanin e çiftit Buçi, aty ndodhej edhe djali i tyre i vetëm 6 vjeç. Fatmirësisht, i mituri u ka shpëtuar plumbave, pasi është fshehur poshtë banakut. Ngjarja e rëndë ndodhi reth orës 21:07, në rrugën “OSBE”, në Kamzë, në dyqanin ngjitur me banesën e çiftit Buçi. Viktima Agim Buçi është qëlluar me një plumb në gjoks, ndërsa e shoqja në këmbë. Më pas, autorët kanë marrë paratë që ndodheshin në kasë, që dyshohet të kenë qenë rreth 20 – 30 mijë lekë (të reja) e më pas kanë ikur. Agim dhe Merita Buçi, janë prindër të 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djali të vetëm, i cili, fatkeqësisht, u bë dëshmitar i ngjarjes tragjike.

Banorët e zonës ku ndodhi grabitja me pasojë vdekjen e 52-vjeçarit Agim Buçi, tregojnë se i kishin transportuar të plagosurit me një makinë autoshkolle, pasi ambulanca ishte vonuar më shumë se 30 minuta.

Disa dëshmitarë, që banojnë pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë në Kamzë, treguan momentet e para pasi kishin dëgjuar të shtënat dhe si u kishin ardhur në ndihmë çiftit që deri në atë moment ishin të plagosur.

Ndërsa disa djem të rinj, që ndodheshin në rrugë në atë moment, kanë parë grabitësit kur po dilnin nga dyqani dhe u janë vënë pas për t’i ndaluar. Por ata kanë qëlluar me armë në ajër.

Më pas, u kanë drejtuar armët dhe i kanë kërcënuar: “Ikni se ju vramë edhe ju…”.

“Unë ndodhesha në shtëpi në momentin kur ndodhi ngjarja. Dëgjova dy krisma dhe dola menjëherë nga shtëpia. Kur shkoj te dyqani i Agimit, e pashë që ishte i gjakosur ai dhe e shoqja. Kërkova ndihmë nga banorët e tjerë që kishin dalë në rrugë. Me aq sa pashë, Agimi kishte mbaruar, e kishte plagën në gjoks. Ndërsa e shoqja bërtiste. Ambulanca po vonohej dhe i kërkuam një personi këtu që ka një autoshkollë dhe i transportuam me makinën e tij. Pas rreth 30 minutash erdhi ambulanca, ndërsa Policia erdhi shumë shpejt”, tregon një fqinj i familjes Buçi.

Ndërsa disa të tjerë kanë arritur të shohin edhe autorët, por pa mundur t’i identifikojnë, pasi kishin kapuça në kokë.

“Ishim në rrugë kur ndodhi. I pamë dy grabitësit që dolën nga dyqani dhe po vraponim. Bashkë me një shok iu vumë pas dhe u bërtisnim që të ndalonin. Ata nisën të qëllojnë në ajër. Më pas, njëri u kthye nga ne, na drejtoi armën dhe na tha të iknim se do na vriste edhe ne. U frikësuam, nuk vazhduam dot më tej dhe ndaluam. Më pas, ata hipën në një makinë, që, me aq sa pamë ne, ishte një BMË, tregon një i ri, banor i zonës.

Dëshmitarët shprehen se zona ku ndodhi ngjarja është tërësisht e pandriçuar dhe për këtë arsye përdoret nga keqbërësit për të kryer krime.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco