Reagim ndaj katastrofave/ SHBA i dhuron Shqipërisë pajisje me vlerë 600 mijë dollarë

Reagim ndaj katastrofave/ SHBA i dhuron Shqipërisë pajisje me vlerë 600 mijë dollarë

16:52, 30/01/2018
A+ Aa A-

Ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu dhe Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka pritën dërgesën e parë të pajisjeve nga Shtetet e Bashkuara për përgjigjet ndaj fatkeqësive për Drejtorinë e Emergjencave Civile të Shqipërisë për të përforcuar kapacitetet e tyre për t’iu përgjigjur përmbytjeve në të ardhmen.

 Dërgesa erdhi nga Livorno, Itali, pas bashkërendimit të gjerë me Programin e Ndihmave Humanitare të Komandës Europiane (EUCOM).

Një dërgesë e dytë nga Albany, Xhorxhia, do të vijë së shpejti, thuhet në një njoftim të Ambasadës së SHBA.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Ambasadori Lu i tha personelit ushtarak dhe atyre të emergjencave civile se “besojmë në heroizmin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe jemi krenarë t’i mbështesim ata në misionin e tyre për të shpëtuar jetë këtu në shtëpi dhe jashtë vendit.”

“Këto pajisje janë pjesë e një përpjekjeje shumëpalëshe për të ndihmuar partneren dhe aleaten tonë të ngushtë në aftësinë për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore në të ardhmen”, tha Majori Joshua Glendening, shefi i Zyrës për Bashkëpunimin Ushtarak e SHBA në Shqipëri.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmëmundësi bashkëpunimi me qeverinë shqiptare, për të ndihmuar me shërbimet e emergjencës që nevojiten në prag përmbytjesh apo zjarresh rajonale në pyje”, tha ai.

Ndihmat janë përgjigje e drejtpërdrejtë e kërkesës së Shqipërisë për ndihmë drejtuar NATO-s nëpërmjet Qendrës Euro-Atlantike për Bashkërendimin e Përgjigjeve ndaj Fatkeqësive.

Pajisjet dhe ndihmat, me vlerë totale mbi 600,000 USD, përfshijnë 4 zadra shpëtimi, 126 kostume polumbari, 10 gjeneratorë të mëdhenj ushtarakë, 1671 batanije, 600 dyshekë alpin, 100 ngrohëse dhe 15 çadra.

Në kohën e përmbytjeve, Kryeministri Edi Rama mohoi publikisht që Shqipëria të kishte kërkuar ndihmë nga NATO apo vende të BE-së për përballimin e situatës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco