Dëmtoi instalacionin ‘I Love Mitrovica’, policia e Kosovës ndalon kryetarin e Mitrovicës së Veriut

Dëmtoi instalacionin ‘I Love Mitrovica’, policia e Kosovës ndalon kryetarin e Mitrovicës së Veriut

14:28, 05/06/2026

Policia e Kosovës i ka ndaluar përkohësisht për t’i marrë në pyetje kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviç, dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozhac, pasi ata u përpoqën ta mbulonin me ngjyrë të kuqe zemrën e gjelbër në shenjën “E dua Mitrovicën”, e cila ishte vendosur nga pushteti i mëparshëm i udhëhequr nga ish-kryetari shqiptar Erden Atiç.

Pasi u liruan, Radojeviç u tha gazetarëve se pushteti lokal vetëm po i zbatonte vendimet që kishte miratuar paraprakisht.

Policia e Kosovës njoftoi se kishte marrë informacion për largimin e shenjës “E dua Mitrovicën”, pas së cilës inspektorët komunalë ishin njoftuar se zbatimi i atij vendimi duhej të shtyhej derisa të merrej një vendim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila mbikëqyr komunat në vend.

Policia tha se në vendngjarje hasi edhe në kryetarin Radojeviç, i cili, pasi komandanti i stacionit policor e njoftoi për situatën, deklaroi: “Tani do ta ngjyrosim emblemën”.

“Pavarësisht kërkesës dhe urdhrit për të ndërprerë dëmtimin, përkatësisht ngjyrosjen e objektit publik, të pranishmit filluan ta ngjyrosnin atë, për çka zyrtarët policorë u detyruan të ndërhyjnë dhe t’i shoqërojnë në stacion policor dy persona”, thuhet në komunikatë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – u rikthye në pushtet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco