Sikurse ishte njoftuar Lidhja Demokratike e Kosovës çeli në orën 18:00 fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Në fjalën e tij kandidati i kësaj force politike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u shpreh se Lidhja Demokratike e Kosovës është ngritur në këmbë dhe nuk ka gjë që i rrëzon.
“Kohërat ndërrojnë, aktorët vijnë e shkojnë, një gjë nuk ndryshon asnjëherë, LDK njëherë, LDK gjithherë. Sonte nga kjo sallë e mbushur plot, me gjithë këtë mbështetje, le t’i tregojmë gjithë Kosovës se lidhja jonë është ngritur në këmbë, është bashkuar fort, është gati për secilës sfidë që na vjen përpara. S’ka gjë që na rrëzon, s’ka gjë që na trazon, s’ka gjë që na thyen sot, jemi bërë bashkë”, tha ai.
Teksa shpalosi programin qeverisës, Abdixhiku premtoi dyfishim të pensioneve, duke shtuar se nuk do të jetë asnjë pension më pak se 300 euro. Kreu i LDK, foli gjithashtu edhe për përkrahjen ndaj nënave dhe fëmijëve.
“Dyfishim të pensioneve; pa asnjë pension nën 300 euro. Sepse një Republikë serioze nuk e lë askënd pas. Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot një vit. Me shtesa mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare. Me mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë kujdestare”, u shpreh Abdixhiku.
Gjatë fjalës së tij Abdixhiku u zotua publikisht se nuk do të rriten çmimet e energjisë në mandatin e tij, ndërsa premtoi edhe ndërtimin e një centrali të ri me gaz amerikan.
“Më lejoni të jap një zotim publik sot. Se çmimet e rrymës nuk do të rriten në mandatin tonë. Moratorium i plotë për tre vite. Do ta ndërtojmë po ashtu centralin e ri me gaz, edhe atë gaz amerikan – 500 megavat energji për Kosovën. Që të mos djegim më qindra miliona euro çdo vit duke importuar energji. Që Kosova të mos jetojë më me krizë artificiale energjetike, por me siguri energjetike”, ishte premtimi i kreut të LDK.
© SYRI.net