Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë ka biseduar edhe me Shefin e NATO-s, Mark Rutte dhe me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Kurti ka thënë se ka marrë pjesë në dy panele: “European Coalition Against Drugs” dhe “Reinforcing Democratic Resilience and Addressing Hybrid Threats” dhe ka pasur shumë takime me liderë shtetesh.
Ai ka deklaruar se Kosova është e përcaktuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si një domosdoshmëri por edhe si garancia më e mirë për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon, shkruan Reporteri.net.
“Pata kënaqësinë të takoj e bisedoj me miq si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së Kaja Kallas, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden, kryeministri i Finlandës Petteri Orpo, Princi Albert II i Monakos, e po ashtu liderë shtetesh me të cilat synojmë të lidhim marrëdhënie diplomatike si presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si një domosdoshmëri por edhe si garancia më e mirë për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon në njërën anë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në anën tjetër”, ka shkruar Kurti.
Në përfundim, Kurti tha se njohja e Republikës së Kosovës nga vendet që ende hezitojnë ta bëjnë këtë dhe avancimi i statusit në shtet kandidat për anëtarësim “janë hapat që duhet t’i paraprijnë një procesi të bazuar në merita”.
© SYRI.net