Prishtina në festë dhe ethe para ndeshjes që siguron Botërorin, përballja me Turqinë si 'pavarësia e dytë' e Kosovës

17:18, 31/03/2026

Gazetarja Albion Zhitia raporton për Syri TV situatën në Prishtina para nisjes së ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë, ku kryeqyteti është përfshirë nga një atmosferë e jashtëzakonshme festive.

 Mijëra tifozë kanë mbushur sheshet dhe rrugët e qytetit, ndërsa një numër i madh mbështetësish kanë ardhur edhe nga Shqipëria dhe trojet e tjera shqiptare për të përkrahur Kombëtaren e Kosovës.

Entuziazmi është në kulm, me këtë përballje që po përjetohet jo vetëm si një sfidë sportive, por edhe si një moment me rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët.

‘Realisht, ngado që t’i shohësh, të gjithë ata qytetarë që janë grumbulluar sot në sheshin e Prishtinës kanë krijuar një atmosferë impozante. Pothuajse duket si një pavarësi e dytë e Kosovës, nëse në mbrëmjen e sotme do të kemi një triumf përballë ekipit kombëtar të Turqisë.

Ajo çka po ndodh është se kemi festë gjithandej në Prishtinë dhe jo vetëm. Prishtina është mbipopulluar tashmë, jo vetëm nga prishtinasit, por nga të gjitha trojet shqiptare. Kemi parë gjatë gjithë rrugës makina të shumta që vinin nga Shqipëria, me targa të Shqipërisë, dhe siç duket sot jemi më të bashkuar se kurrë më parë, duke pasur edhe mbështetjen e madhe nga Shqipëria.

Përkundër që ju nuk arritët të triumfonit, sonte shpresat janë te të gjithë, te Kombëtarja e Kosovës, dhe po urojmë e shpresojmë që të triumfojmë në “Fadil Vokrri”. Atmosfera pas meje, siç mund ta shihni edhe vetë, është e jashtëzakonshme. Ka shumë tifozë, por edhe tifozë nga Turqia, të cilët kanë arritur dhe vazhdojnë të vijnë, dhe numri i tyre sa vjen e rritet.

Në një komunikim me ta, ata janë shprehur shumë të impresionuar nga mikpritja në Kosovë. Përkundër rivalitetit në fushën e gjelbër sonte, miqësia mes Kosovës dhe Turqisë vazhdon të jetë e konsiderueshme dhe të dyja palët janë bashkuar për të festuar. Megjithatë, në momentin që do të fillojë loja, rivaliteti në fushë do të theksohet shumë.

Po, sepse ne patëm triumfin e fundit në Sllovaki, në një vend që nuk na ka njohur, por që tashmë përmes futbollit dhe sportit na njeh. Aty ku politika nuk ka arritur të vendosë Kosovën në hartë, po e bën futbolli. Këtë e kemi arritur dy vite më parë, kur u pranuam në FIFA dhe UEFA. Pikërisht dy vite më pas, kur askush nuk e priste, Kosova është më afër se kurrë ëndrrës për Botërorin, apo “ëndrrës amerikane”, siç po e quajmë tashmë.

Sigurisht, në aspektin më të gjerë politik, ky do të ishte një triumf edhe më i madh. Prandaj, kjo është festa në Prishtinë që sot po gumëzhin gjithandej vendit, për shkak të rëndësisë së kësaj ndeshjeje. Një fitore ndaj Turqisë, e cila në këto kualifikuese ka treguar forcë dhe synon rikthimin në Kampionatin Botëror pas shumë vitesh (që nga viti 2002), do të ishte shumë domethënëse.

Edhe për Turqinë kjo ndeshje është kritike. Sipas analizave të ekspertëve të futbollit duke qenë se duhet ta pranoj që nuk jam eksperte, edhe pse e ndjek dhe jam futbolldashëse — presioni mbi Turqinë është më i madh sesa mbi Kosovën, duke marrë parasysh përvojën dhe forcën e saj ndër vite.

Megjithatë, nuk do të ishte çudi nëse do të kishim një befasi, dhe shpresojmë që ajo të jetë në të mirë të Kosovës, që të mposhtë edhe Turqinë.

Deri më tani, atmosfera dhe moti kanë qenë në favor të tifozëve. Shpresojmë që kështu të vazhdojë edhe në orët në vijim. Sipas parashikimeve të motit, priten reshje shiu, por shpresojmë që ato të mos bien gjatë 90 minutave të lojës, në mënyrë që djemtë tanë të kenë kushtet më të mira për të shënuar gol.’-raportoi ajo

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco