Presidenti të zgjidhet nga populli/ Nis seanca për amendamentet e Osmanit - LVV e LDK pro, PDK kundër

Presidenti të zgjidhet nga populli/ Nis seanca për amendamentet e Osmanit - LVV e LDK pro, PDK kundër

21:12, 05/03/2026

Fillon seanca për amendamentet e Osmanit që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votat e popullit.

LVV-ja u kërkon deputetëve t’i mbështesin amendamentet. Shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet,  Arbërie Nagavci, tha se kjo parti e mbështet votimin e këtyre amendamenteve, si dhe i ka ftuar edhe deputetët e partive të tjera t’i votojnë ato.

“Përvoja na e ka dëshmuar që procesi i zgjedhjes në Kuvend është shoqëruar me marrëveshje jo parimore politike ose me situata të bllokimit institucional”, tha Nagavci.

Sipas saj ky debat për zgjedhjen e presidentit nga populli nuk është i ri por më shumë se një dekadë dhe është pjesë e një reflektimi institucional.

Nga ana tjetër Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se partia që e drejton ai i mbështet  në parim amandamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga qytetarët.

Komentet, ai bëri në seancën e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahet aktualisht.

“Janë në frymë me bindjen tonë ideologjike, presidenti i Kosovës duhet të zgjedhet nga qytetarët drejpëdrejt”. ” Ta përsëris edhe një herë LDK i mbështet dhe i voton”, deklaroi më tutje Abdixhiku.'

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, ka thënë se partia e tij nuk mund t’i mbështet ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit përmes votës së popullit në mënyrën sic është kërkuar sot.

“Zgjedhja e presidentit të Kosovës nga populli është temë shumë e rëndësishme dhe meriton trajtim serioz institucional dhe politik. E ky trajtim nuk është serioz aspak”, tha Hamza.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, mungon në seancën e sotme, një mungesë e rëndësishme për atë çfarë pritet në vijim.

Për të kaluar ndryshimet kushtetuese  nevojiten edhe ca vota nga Lista Serbe.

Lista Serbe ka 9 prej 20 vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë dhe kalimi i amendamenteve kërkon 2/3 e votave të këtyre komuniteteve, që nënkupton të paktën tri vota nga kjo parti.

Sot është afati i fundit kur Kosova duhet t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco