Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi sot se ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat propozon që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.
Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011. Ajo ftoi të gjitha partitë politike t’i votojnë këto amendamente kushtetuese.
Postimi i plotë
ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT!
Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese.
Tash e tutje, le të flasë populli!
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi përmes votimit të fshehtë të deputetëve. Thirrja e Osmanit vjen pasi partitë politike nuk arritën marrëveshje për një president konsensual dhe Osmani nuk gjeti mbështetjen e tyre për një mandat të dytë.
Lexo dhe: LVV mund t’i drejtohet Kushtetueses nëse dështon zgjedhja e presidentit sonte
Sot është afati i fundit kur Kosova duhet t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri më tani është propozuar vetëm një kandidat, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje. Për t’u thirrur seanca, nevojitet edhe një kandidat i dytë.
Partitë e mëdha opozitare duket se nuk kanë votë për Konjufcën, pasi insistojnë në marrëveshje politike ose figurë konsensuale, por as nuk dalin me emrat e tyre.
Ndërkohë LVV-ja tha se nënshkrimet ia ka ofruar edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila synon një mandat të dytë, por ajo ka refuzuar dhe Presidenca tha se këto pretendime janë gënjeshtra.
© SYRI.net