Kosovari vrau argjentinasen në Fushë-Kosovë, dënohet me 18 vite burg

Kosovari vrau argjentinasen në Fushë-Kosovë, dënohet me 18 vite burg

19:53, 19/02/2026

 

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar E.N. me 18 vjet burgim për vrasjen e partneres së tij, shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë më 2023. Aktgjykimi u shpall të enjten nga trupi gjykues, raporton Betimi për Drejtësi, medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë.

Të pranishëm në seancë ishte i pandehuri me avokatin e tij dhe mbrojtja e palës së dëmtuar. Në maj të vitit 2025, E.N. ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën për vrasje.

Pas shqiptimit të aktgjykimit, Rrjeti i Grave të Kosovës tha se dënimi prej 18 vjetësh burgim ‘nuk është proporcional me peshën e krimit’ dhe seriozitetin e rrethanave.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ky rrjet tha se kjo vrasje është me motiv gjinor, femicid, duke theksuar se vrasja e grave për shkak të gjinisë së tyre është shkelja më e rëndë e të drejtës për jetë dhe kërkon ndëshkim maksimal.

 ‘Dënime të tilla rrezikojnë të normalizojnë dhunën ndaj grave dhe të dërgojnë mesazh se jeta e grave vlen më pak. Kërkojmë që gjykatat ta njohin qartë motivin gjinor dhe të aplikojnë standardet më të larta të ndëshkimit. Drejtësia duhet të jetë reale, proporcionale dhe e pamëshirshme ndaj femicidit’, u tha në reagim.

Rrjeti i Grave të Kosovës ndihmon viktimat e dhunës me bazë gjinore, duke ofruar këshillim dhe ndihmë juridike falas.

Çfarë thuhet në aktakuzën ndaj E.N.?

Aktakuza ndaj tij u ngrit në shkurt të vitit 2025. Sipas Prokurorisë, më 1 gusht të vitit 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me tashmë të ndjerën, ai e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me makinë në parkingun e hotelit.

Me të hyrë në dhomën e hotelit, sipas aktakuzës, E.N. me dashje që ta privojë nga jeta viktimën M.K-U., kishte vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj saj duke e dërguar në qoshen e dhomës, ku ajo nuk kishte pasur mundësi të largohej. Aktakuza thotë se më pas e kishte shtyrë viktimën, e kishte nxjerrë në kornizën e dritares duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit, që gjendej në kat të gjashtë. Për shkak të rrëzimit nga lartësia, viktima nuk iu mbijetoi plagëve.

Sipas të dhënave, në Kosovë nga viti 2010 e deri më tani janë vrarë rreth 60 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco