Një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes* i tha Radios Evropa e Lirë se, aktualisht, nuk ka ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave amerikane.
“Sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”, tha ai në përgjigjen me shkrim.
REL-i kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, pasi gazeta amerikane Politico - duke cituar katër diplomatë të NATO-s - tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga aleanca të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë - KFOR.
Në komentet për REL-in, një zyrtar i NATO-s tha se Shtetet e Bashkuara luajnë rol thelbësor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.
Megjithatë, ai theksoi se autoritetet amerikane janë adresa për më shumë hollësi.
Ai shtoi se SHBA-ja, aktualisht, i ka rreth 600 trupa të angazhuara në misionin e KFOR-it dhe se e ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje.
Komanda Rajonale Lindje kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.
REL-i kërkoi komente në lidhje me raportimet e Politico-s edhe nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, dhe është në pritje të përgjigjeve.
Çfarë thuhet në artikullin e Politicos?
Sipas Politicos, në muajt e fundit Uashingtoni ka lobuar për reduktimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të përfundojë misioni në Irak, dhe që aleatët nga Indo-Paqësori të mos marrin pjesë në samitin vjetor të aleancës që mbahet në Ankara të Turqisë në korrik.
Ky raportim vjen pasi vitin e kaluar ishin ngritur shqetësime në mesin e shteteve evropiane se SHBA-ja mund të tërhiqte plotësisht trupat e saj nga Evropa.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, atëbotë kishte porositur Evropën se duhej të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.
Megjithatë, tërheqje të plotë nuk pati, dhe në tetor SHBA-ja njoftoi për tërheqjen e disa trupave nga Rumania. Kjo tërheqje, u tha se ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së që të përqendrohet në Indo-Paqësor.
SHBA-ja ka 590 trupa në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Në mes të shqetësimeve për një tërheqje të trupave amerikane nga Evropa, në mars të vitit 2025, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i tha Radios Evropa e Lirë se “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.
Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar më 1999, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë 4.767 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga 33 shtete të ndryshme. Nga ta, 590 trupa janë nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkaq, kampi Bondsteel, që gjendet pranë Ferizajit shërben si baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.
Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Ky mision paqeruajtës i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
NATO-ja e kishte shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, që kulmuan me sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të po atij viti.
*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025, duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë./REL
© SYRI.net