Kosova do të bëhet pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), një mision shumëkombësh i krijuar për të mbikëqyrur dhe zbatuar armëpushimin në Rripin e Gazës.
Sipas raportimeve të fundit nga media izraelite “i24news”, thuhet se Izraeli ka konfirmuar se Kosova bashkë me Kazakistanin do t’i bashkohen Marokut, Indonezisë, Greqisë dhe Shqipërisë në këtë iniciativë, e cila pritet të jetë funksionale deri në muajin maj.
The proposed international stabilization force for Gaza is expanding, with Kosovo and Kazakhstan reportedly ready to join Morocco, Indonesia, Greece, and Albania.
— Clash Report (@clashreport) February 18, 2026
Indonesia is expected to provide the largest contingent — up to 8,000 troops — forming the core of the mission.… pic.twitter.com/ZsD7D0QWX9
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë mision vjen si vazhdimësi e përfshirjes së saj në iniciativa ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet, përfshirë edhe rolin e saj në Bordin e Paqes, një nismë kjo globale e presidentit amerikan Donald Trump, për zgjidhjen e konflikteve, ku Kosova është një prej shteteve anëtare themeluese.
Në një deklaratë të mëparshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në këtë mision, duke vlerësuar kapacitetet profesionale të trupave kosovare dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuuar në paqeruajtje.
Ai theksoi se ky hap reflekton besimin e vendit në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përkushtimin për paqe.
FSK-ja, e cila ka marrë pjesë edhe më herët në misione jashtë vendit dhe stërvitje ndërkombëtare, do të përfshihet në detyra që lidhen me sigurimin e armëpushimit dhe stabilitetin e zonës së konfliktit.
Vendimi për dërgimin e trupave jashtë vendit bazohet në ligjin në fuqi dhe në vendimet institucionale të Kosovës.
Ky zhvillim është konsideruar si një hap i rëndësishëm për Kosovën në skenën ndërkombëtare, duke forcuar imazhin e saj si partner i besueshëm në misionet paqeruajtëse dhe përpjekjet për zgjidhje të krizave globale.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga plani 20-pikësh për paqe në Gazë i Trumpit, që është pranuar tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
© SYRI.net