Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, hodhi poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) se klienti i tij ishte epror i Bislim Zyrapit. Ai theksoi se vetë Zyrapi ka pranuar se ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shtabit të Përgjithshëm. Ai ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, të njohur me titujt ushtarakë, i kanë drejtuar dokumente me titullin ‘shef i Shtabit’. Kemi dëgjuar edhe dëshmitarë këtu që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha Ellis, duke përmendur Naim Maloku, Sokol Bashta dhe Rrustem Mustafa.
Sipas tij, ZPS po përpiqet të minimizojë rolin e Zyrapit, duke pretenduar se dëshmia e tij – sipas së cilës Krasniqi ishte epror i Zyrapit – është “e pabazuar”.
Mbrojtja e Krasniqit u shpreh se provat do ta çojnë trupin gjykues drejt shpalljes së tij të pafajshëm. Avokati Ellis tha se Prokuroria po ndryshon qëndrimet kur e mbështet përgjegjësinë e të akuzuarve në faktin se ata ishin pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.
Ai shtoi se vetë kryeprokurorja kishte deklaruar se për të vërtetuar fajësinë nuk mjafton vetëm anëtarësia në shtab, por se të hënën prokurorët e përdorën pikërisht këtë argument.
Sipas mbrojtjes, për kontributin në ndërmarrjen e përbashkët kriminale (NPK), përgjegjësia individuale duhet të identifikohet qartë për secilin të akuzuar; në të kundërt, argumentoi ai, çështja do të rezultonte si një proces kundër Shtabit të Përgjithshëm në tërësi, e jo ndaj katër të akuzuarve.
Seanca ka shkuar në pauzë dhe, pas pushimit, ish-eprorët e UÇK-së pritet të deklarohen.
© SYRI.net