Zëvendëskryeministri dhe Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se shteti e ka bërë më të mirën e mundshme për ish-krerët e UÇK’së që po gjykohen në Hagë. Ai u shpreh i bindur se Prokuroria nuk do të mund të vërtetojë me fakte asgjë, shkruan Reporteri.net.
Konjufca, i cili nesër do të marrë pjesë në seancën gjyqësore ku do të paraqiten deklaratat përmbyllëse, ka folur para gazetarëve, ku tha se sa i përket fondeve, mund të bëhet një krahasim me shtetin kroat se me çfarë shifre e ka përmbyllur mbrojtjen e gjeneralëve të vetë.
“Kosova e ka bërë më të mirën e mundshme sa i përket fondeve. Lype prej shtetit kroat shifrën zyrtare sa e kanë kry ata mbrojtjen në Hagë”, ka deklaruar Konjufca.
Ai tha se aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk është për individët, por e gjykon luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk ka të bëjë vetëm thjeshtë me këta, ka të bëjë me atë që është themeli i lirisë sonë, që është lufta e UÇK’së. Po shtrembërohet kjo luftë, po i mveshet kësaj lufte diçka tjetër. Ne e kemi për obligim si drejtues me përgjegjësi shtetërore, të themi qartë karakterin e luftës tonë çlirimtare. Ta themi qartë që UÇK nuk ka pas kurfarë ndërmarrje të përbashkët kriminale”, u shpreh ai.
Konjufca u pyet edhe për një deklaratë të tij që e kishte dhënë vite më parë për një mekanizëm mbikëqyrës.
Ministri i Jashtëm tha se gjithçka që është bërë apo nuk është bërë në këtë proces, ka qenë në konsultim të vazhdueshëm me ekipet mbrojtëse të të akuzuave.
“Gjithcka që është bërë dhe që nuk është bërë deri tash, është bërë ose nuk është bërë në konsultim të vazhdueshëm me ekipet mbrojtëse. Ne nuk kemi dashtë me ba dicka pa e pas pajtueshmërinë deri në instancën më të fundit si shtet”, shtoi Konjufca.
Ai tha se nesër është Dita D, dhe se populli duhet të jetë i bashkuar, sikurse në marshin e sotëm që u mbajtë në Prishtinë.
“Nesër e kemi ditën D, ashtu siç ishim të bashkuar në Prishtinë, uroj që edhe nesër të jemi të bashkuar. Pikërisht për këtë arsye, po uroj që për shkak të këtij bashkimi dhe për shkak që kur është çështja te Ushtria Çlirimtare askush nuk mund të na përqajë, Gjykata ka me pa më qartë këtë unitet tonin dhe me marrë një vendim që është në përputhje me të vërtetën historike”.
Konjufca tha se është i bindur që Prokuroria nuk do të mund të vërtetojë me fakte asgjë, teksa deklaratën e Prokurorisë gjatë seancave të javës së kaluar, e cilësoi si skandaloze.
“Unë jam fort i bindur që kurgjë Prokuroria nuk ka me mujt me vërtetu me fakte, me deklarata politike ato janë tjera. Deklarata politike ka ba vazhdimisht, si kjo më skandalozja që ke që krejt botën e kanë mashtru kjo ndërmarrje kriminale e ashtuquajtur, ajo dmth ke me u tmerru prej sikleti”, tha Konjufca.
Në fund tha se uron që Gjykata të marrë vendim professional dhe që drejtuesit e UÇK’së të kthehen në Kosovë.
“Kur te bën bilancin pas 60 ditëve, Gjykata që ka me marrë vendimin, unë uroj fort që ka me marr një vendim professional. Kur kjo të ndodhë, pikat e aktakuzës të hidhen poshtë, drejtuesit e UCK’së kanë me u kthy në Kosovë të lirë dhe të liruar prej kësaj barre që u përballën gjithë këto vite”, tha Kryediplomati.
© SYRI.net