Mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare marshuan sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu bashkua marshit madhështor për të shprehur mbështetjen e plotë për ish-krerët e UÇK-së.
Osmani deklaroi se me deklaratat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, po tentohet të njolloset liria e vendit.
“Unë e dhash mbështetjen e plotë. Tash është një moment i ri, sepse siç e keni parë, edhe në deklaratat e Prokurorisë, po tentohet të njolloset liria dhe pavarësia e Kosovës. Në këtë pikë të gjithë duhet të jemi bashkë” – tha kryetarja e shtetit në një intervistë për median kosovare.
Në marshim mori pjesë dhe Endriti, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Është shumë emocionues, sot nuk ka festë, por ka protestë. Dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë protestë” tha Endriti.
Lirim Haziri i biri i Xhavit Hazirit, bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i zhdukur që nga viti 1998, tha se 17 shkurti nuk është vetëm festë, por është betim që nuk duhet lejuar që sakrifica të barazohet me faj.
"Sakrifica e UÇK-së, nuk i përket vetëm një familjeje, i përket të gjithë kombit. Prandaj 17 shkurti nuk është vetëm festë, është betim që nuk e harrojmë sakrificën, betim që nuk lejojmë të përbalten luftëtarët tanë. Betim që nuk e ulim kokën para padrejtësisë. Nuk do të lejojmë që sakrifica të barazohet me faj' tha ai.
Marshimi “Drejtësi, jo politikë” u mbyll rreth orës 15:15.
© SYRI.net