Çka do të thotë të jesh nga Kosova? Për shumë, kjo pyetje nxit diskutime për plagët e luftës së fundit në Kosovë, kujtimet e dhimbshme që s’harrohen, por edhe gëzimin nga çlirimi e pavarësia. Por, çka thonë ata që e mbajnë mend Kosovën vetëm të pavarur?
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa të rinj që e kanë kaluar fëmijërinë në vitet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Fatbardha Kapiti
Në odën e shtëpisë së saj në Podujevë, Fatbardha Kapiti shpesh ulej përkrah burrave. E vogël, me sytë kureshtarë, ajo përpiqej ta kuptonte botën e të rriturve.
“Gjithmonë më ka interesuar ta shoh çka po bëhet, çka po flitet”, kujton ajo.
Aty, qysh e vogël, ajo mori një nga mësimet më të mëdha të jetës së saj: si t’i zgjidhë problemet?
“Nuk do të isha kjo që jam sot po të kisha lindur diku tjetër”, thotë Fatbardha, duke shpjeguar se jeta në Kosovë, përfshirë atë që kishte parë si e vogël në odën e shtëpisë, e ka mësuar të jetë më këmbëngulëse dhe më e fortë.
Një semestër në Marburg të Gjermanisë vitin e kaluar ia tregoi dallimet mes vendlindjes së saj dhe vendeve më të zhvilluara të Evropës, që ajo i quan “dy botë të ndryshme”.
“Qysh në muajin e parë e kuptova që unë nuk jam për të jetuar larg… më tërhiqte vendi im, njerëzit e mi. Ndoshta [jashtë Kosovës] do të më priste një pagë më e mirë, një e ardhme më e mirë, por unë e di që e kam mundësinë ta krijoj të njëjtën gjë edhe në Kosovë, nëse punoj shumë”, thotë 21-vjeçarja.
Fatbardha nuk i mohon problemet që ka parë në Kosovë: shkallën e lartë të papunësisë, mungesën e perspektivës, nevojën për më shumë drejtësi dhe shumë mangësi të tjera. Por, ajo ndien se duhet vetë të punojë për të sjellë ndryshimet që i do në vendlindje.
“Si brez e kemi në dorë formësimin e së ardhmes së Kosovës dhe ndryshimi duhet të fillojë prej nesh”, përfundon ajo.

Muhamer Duda
Me topin nën sqetull dhe të nxehtin e verës mbi kokë… Kështu duket kujtimi më i bukur i fëmijërisë për Muhamer Dudën.
Në Dubravë të Ferizajt, 23-vjeçari thotë se mezi priste të mbaronte mësimi për të vrapuar drejt livadheve apo rrugicave të fshatit, ku me shokë improvizonin fusha futbolli.
“Ka qenë gjëja ma e mirë që më ka ndodhur në fëmijëri”, kujton ai.
Por, krahas këtyre kujtimeve të lumtura, fëmijëria dhe adoleshenca e tij sollën edhe sfida. Për shkak të kushteve ekonomike, rruga drejt shkollimit nuk ka qenë e thjeshtë. Në shkollë të mesme, ai ecte shtatë kilometra në këmbë për të ndjekur mësimet.
“Ka pasur autobusë, por për shkak të kushteve ekonomike nuk kam mundur t’i shfrytëzoj”, tregon ai.
“Derisa kam arritur në këtë pikë, për mua ka qenë sfidë goxha e madhe”.
Sot, ai është student në vitin e tretë për hoteleri dhe turizëm në Ferizaj, duke punuar për të kontribuuar në dy drejtime: në komunitetin e tij dhe në zhvillimin e turizmit në Kosovë.
“Besoj që fusha më e rëndësishme në të cilën duhet angazhim për komunitetin tim, ashkali, është arsimi”, thotë Muhameri, duke shtuar se mungojnë informata dhe diskutime në shkolla për komunitetet pakicë, kulturat dhe traditat e tyre.
Si pjesëtar i komunitetit ashkali, ai thotë se ka zgjedhur të mos e fshehë identitetin e tij edhe kur mund të jetë paragjykuar.
“Gjithmonë jam munduar të tregoj për vlerat dhe traditat tona. Dua që fëmijët e komunitetit tim të më shohin si një lloj shembulli”, shton ai.
Nëse do të kishte lindur jashtë Kosovës, Muhameri është i bindur se do ta kishte pasur më të lehtë rrugën drejt shkollimit. Por, ai s’do ta kishte ndryshuar vendlindjen edhe po të kishte mundësi.
“Shumë më mirë që jam brenda Kosovës, sepse jam angazhuar më shumë dhe jam bërë më i fortë”, përfundon ai.

Jona Olloni
“Jemi njëfarë gjenerate e çuditshme”, thotë Jona Olloni.
19-vjeçarja e përshkruan veten dhe bashkëmoshatarët si një brez “në mes të dy epokave”: të parët që e mbajnë mend jetën në Kosovën e pavarur, por ndoshta të fundit që kujtojnë një fëmijëri pa teknologji në xhep.
Kështu, jeta e saj është përshkuar me ndryshime të shumta.
Familja e Jonës u zhvendos nga një zonë tjetër në Prishtinë kur ajo ishte në klasë të katërt, pasi prindërit kërkonin më shumë mundësi për zhvillim akademik dhe profesional për fëmijët e tyre.
“Atyre u ishin pamundësuar disa gjëra, për shkak të luftës dhe donin që të paktën ne t’i shfrytëzonim të gjitha mundësitë për një jetë që do ta kishin dashur edhe ata në fëmijërinë e tyre”, shpjegon Jona.
Sot, ajo studion psikologjinë dhe e sheh brezin e saj si produkt të një periudhe të veçantë, mes luftës që nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejt dhe realitetit të pavarësisë që e kanë trashëguar.
“Një gjeneratë duhet të punojë për t’ia siguruar gjeneratës së ardhshme një jetë sa më të mirë”, thotë Jona, duke shtuar se ndryshimet e arritura deri më tash, duhet të jenë motivim për të punuar më shumë.
Megjithatë, Jona mendon se potenciali i të rinjve shpesh mbetet i kufizuar dhe si problem kryesor sheh politikën. Ajo thotë se debatet për politikën janë të shpeshta mes të rinjve në rrethin e saj, por përtej bindjeve të ndryshme, dëshira është e përbashkët: zhvillimi i vendit.
Për këtë arsye, Jona mendon t'i vazhdojë studimet jashtë Kosovës. Jo për t’u larguar përgjithmonë, por për të fituar përvojë. Inspirimin, thotë ajo, e ka marrë nga profesorët e saj që kanë studiuar jashtë dhe e kanë sjellë ekspertizën e tyre në Kosovë.
“Jeta është e shkurtër, por është edhe mjaftueshëm e gjatë sa për të marrë shumë përvoja”, shprehet ajo. “Krejt kohën duhet të synojmë të angazhohemi për përmirësim”.

Aleksandra Niçiq
“Rritja ime në Kosovë ka qenë e mbushur me emocione të përziera; ka pasur momente të bukura dhe të shëmtuara, të këndshme dhe të pakëndshme, ka pasur pak nga çdo gjë”, thotë Aleksandra Niçiq, 21-vjeçare nga Çagllavica.
Si fëmijë, ajo kujton lagjen, kryesisht të banuar me serbë, ku mblidhej me moshatarët në oborre dhe qëndronin deri vonë duke luajtur së bashku.
“Pastaj, njerëzit filluan të shpërnguleshin dhe mbetëm vetëm disa prej nesh, që u rritëm dhe i lamë pas ato lloje daljesh dhe lojërash, kështu që lagjja u qetësua pa ne. Fëmijët që kujtoj nga fëmijëria, nuk i shoh më, të gjithë shkuan rrugëve të tyre, larg Kosovës”, thotë Aleksandra.
Rritja në një vend më pak të zhvilluar se vendet e tjera evropiane e ka bërë Aleksandrën të mësojë të përshtatet dhe të jetë këmbëngulëse. Ajo insiston se po të mos kishte jetuar në Kosovë, do ta kishte humbur një pjesë të identitetit dhe forcës së saj.
“Rritja në Kosovë më ka formuar dhe më ka mësuar vlera që sot i mbaj me vete”, thotë ajo.
Aleksandra tregon se, ndonjëherë, ndien se mundësitë e saj janë të kufizuara vetëm se studimet i vazhdoi në Kosovë - në Mitrovicë të Veriut.
“Mjafton që njerëzit të dëgjojnë se studioj në Kosovë dhe menjëherë do të më etiketojnë si dikush që nuk punon, vetëm kalon kohën këtu - gjë që për mua është demoralizuese, sepse nuk është e vërtetë”, thotë 21-vjeçarja.
Për të ardhmen, Aleksandra thotë se vendimi për të qëndruar ose për t'u shpërngulur do të varet nga mundësitë profesionale që i ofrohen, nga zhvillimi ekonomik dhe nga forcimi i institucioneve.
“Mendoj që sistemi është shumë i korruptuar dhe kjo i dekurajon njerëzit që të përpiqen... sepse, pse dikush të mundohet për një vend pune që tashmë i është premtuar [dikujt tjetër]? Të rinjtë duan një sistem transparent, ku puna dhe njohuria vlerësohen”, përfundon Aleksandra.

Jon Gashi
E veçanta e brezit të tij, thotë Jon Gashi, është se ata janë rritur bashkë me shtetin e Kosovës.
“Kjo do të thotë që gjërat nuk janë gjithmonë perfekte, por janë duke u rregulluar”, thotë 21-vjeçari, i cili si kujtimet më të mëdha të fëmijërisë së tij i ka programet shkollore artistike, të organizuara për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Në mendje me tregimet nga njerëzit që e kanë përjetuar luftën, Joni e mendon të kaluarën për ta vlerësuar të tashmen.
Ai thotë se shpesh të rinjtë nuk e vlerësojnë mjaftueshëm përparimin që është bërë në Kosovë, sepse nuk ndalen ta krahasojnë realitetin e sotëm me atë të dekadave më parë.
“Duhet gjithmonë ta mendojmë se ku kemi qenë dhe ku jemi sot”, thotë ai.
Joni përmend periudhat e gjata historike kur Kosova ka qenë e pushtuar, pa institucione dhe pa të drejta themelore, si një nga arsyet pse krahasimi është i domosdoshëm.
“Në vitet e 90-ta, për shembull, as nuk mund të diskutohej publikisht liria që e kemi sot. Sot, askush nuk e vë në dyshim që një vajzë duhet të shkojë në shkollë... e atëherë edhe kjo ka qenë problematike”, thotë ai.
Kështu, Joni thotë se ndihet me fat që, prej të gjitha periudhave të dhimbshme të historisë së Kosovës, i ka rënë të jetojë pikërisht në këtë kohë.
“Problemi më i madh që e kemi pasur në jetë ka qenë pandemia COVID-19”, thotë ai, duke qeshur.
Joni nuk i mohon sfidat aktuale, nga papunësia te sistemi shëndetësor, por thekson se ndryshimet pozitive janë të dukshme.
Megjithëkëtë, ai s’e përjashton plotësisht mundësinë e të migruarit nga Kosova.
“Si opsion të parë, jo. Por, është normale që dikush të mendojë për largim, sidomos për shkak të punësimit dhe kushteve ekonomike”, thotë ai.

Teuta Rexhepi
Ishte vetëm 9 vjeçe kur për herë të parë e kuptoi se jeta në Kosovë ka edhe anët negative. Në vitin 2015, kur mbi 75 mijë qytetarë u larguan nga vendi, shumica në mënyrë të parregullt , edhe halla e Teuta Rexhepit mori rrugën e migrimit.
“Kam qenë shumë e lidhur me të dhe e kam përjetuar shumë rëndë. Atëherë, e kuptova se çka do të thotë gjendja ekonomike, çka do të thotë të jesh nga një vend në tranzicion”, kujton Teuta, nga Mitrovica e Jugut.
Kjo dhimbje është gjëja e parë që i shkon në mendje kur pyetet për fëmijërinë e saj në Kosovë.
Kjo fëmijëri do të kishte qenë shumë më ndryshe, thotë ajo, po të kishte lindur diku tjetër.
“Për kushte dhe zhvillim personal e akademik, normalisht që jashtë do të ishte më mirë [po të lindja], sepse ka më shumë mundësi në shtetet që s’janë në tranzicion”, thotë ajo.
Por, megjithatë, Teuta nuk e ka menduar kurrë seriozisht ta lërë Kosovën.
“E dua shumë Kosovën. Është ndryshe vendi ku je rritur, ku i ke kujtimet e fëmijërisë, ku ndihesh në shtëpi”, thotë Teuta.
E lindur në maj të vitit 2005, ajo nuk mban mend Kosovën para shpalljes së pavarësisë. Megjithatë, lufta ka qenë gjithmonë pjesë e rritjes së saj.
Si vajzë e një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Teuta thotë se është rritur “me kujtesën e luftës”, edhe pse vetë nuk e ka përjetuar atë.
“Kjo më ka bërë ta dua vendin tim dhe të dua të mësoj më shumë për Kosovën”, thotë ajo, duke shpjeguar pse ka vendosur të studiojë histori.
Por, Teuta nuk është indiferente as ndaj problemeve me të cilat përballet në Kosovë, nisur nga sistemi i shëndetësisë.
Kur flet për të ardhmen, përmend edhe nevojën për reforma konkrete. “Pika e parë duhet të jenë sigurimet shëndetësore ”, thotë Teuta.

Erblina Hyseni
Vëllai i saj ishte shtatë vjeç kur iu ndërpre shkolla nga lufta në Kosovë. Erblina ishte shtatë vjeçe kur nisi klasën e dytë në gjuhën shqipe, me libra të rinj dhe pa ndonjë frikë për jetën e saj.
Mes tyre qëndron një dallim i madh: ai e kujton fillimin e luftës, ajo fillimin e mësimit dhe festat në shkollë.
Erblina Hyseni, 19-vjeçare nga Gjilani, thotë se kjo diferencë brenda vetë familjes së saj e ka bërë gjithmonë kureshtare për të kaluarën.
E për të, të rritesh në Kosovën e pasluftës është një privilegj, por edhe një përgjegjësi.
“Duhet ta kuptojmë që Kosova është shtet i ri. Nuk të garanton gjithçka, sepse jemi ende në tranzicion, prej luftës deri te ndërtimi i shtetit. Është privilegj që po e gëzojmë lirinë, por edhe përgjegjësi që ne, si të rinj, të arsimohemi për të mirën e shtetit”, thotë gjilanasja.
“Ne duhet të studiojmë dhe të kontribuojmë. Është pak presion kur mendon që je gjenerata e parë që po jeton lirinë dhe pse të mos e shfrytëzojmë?!”
Erblina e sheh Kosovën ende në periudhë tranzicioni, me mangësi të dukshme në funksionalizimin e institucioneve dhe në tregun e punës. Përballë problemeve, ajo thotë se të ardhmen e sheh me mendje të hapur.
“Ndoshta sot them që do të jetoj në Kosovë, por nesër mund të ndryshojnë rrethanat. Por, jam e bindur se, kudo që të jem, kontributi im do të jetë për Kosovën”.

Aleksandra Jovanoviq
Në rrugët e lagjes së saj në Graçanicë, fëmijërinë e kaloi mes lojërash dhe të qeshurash.
Oborret dhe rrugicat ishin vendtakimet e përditshme për fëmijët e lagjes, ku çdo ditë përjetonin “aventura të vogla dhe kujtime të bukura”. Por, bashkë me rritjen, për Aleksandra Jovanoviqin erdhi edhe ndërgjegjësimi për realitetin përreth.
“Të rritesh në Kosovë është ndryshe, sepse ngadalë njohim mjedisin ku jetojmë, zbulojmë të kaluarën dhe kuptojmë situatën aktuale. Megjithatë, kjo nuk na pengon të rritemi të shëndetshëm, nuk ulet vlera e kujtimeve tona dhe nuk na bën më pak të vlefshëm”, thotë 18-vjeçarja, nxënëse e shkollës së mesme ekonomike.
Ajo e përshkruan fëmijërinë si të mbushur me ndjenjën e ngrohtësisë të dhuruar nga komuniteti.
Por, krahas kujtimeve të bukura, ajo pranon se nuk kanë munguar sfidat, sidomos në arsim dhe në mundësitë për zhvillim.
“Ka pasur momente kur ndjeja se gjithçka që bëja ishte e kufizuar dhe se kurrë nuk do të mund të rritesha dhe përparoja, por me kalimin e kohës mësova se kur punon me gjithë dëshirën tënde dhe investon kohën tënde në të, mund të arrish”, thotë Aleksandra.
Megjithatë, kur e mendon të ardhmen, ajo e paramendon veten larg Kosovës, si mënyrën e vetme për të dalë nga zona e rehatisë dhe të zhvillohet profesionalisht.
Sipas saj, që të rinjtë të zgjedhin të qëndrojnë, Kosova duhet të ofrojë më shumë perspektivë.
“Është e nevojshme të krijohen më shumë mundësi për të rinjtë, institucione më të mira arsimore dhe kulturore, një ndjenjë më e madhe sigurie, si dhe një situatë ekonomike e qëndrueshme”, përfundon ajo.

Medina Krasniqi
“Të rritesh në Kosovën e pavarur do të thotë të jesh pjesë e një shteti të ri që ende po ndërtohet”, thotë Medina Krasniqi.
20-vjeçarja, e lindur dhe e rritur në Kosovë, thotë se e ka parë vendin duke u zhvilluar gradualisht, bashkë me shpresën e njerëzve për një të ardhme më të mirë se e kaluara.
“Unë ndiej një lloj krenarie kur e di që jetoj në një vend të pavarur dhe të lirë”, thotë prishtinasja.
Kujtimet e saj më të forta lidhen gjithmonë me familjen dhe festat. Ajo e veçon 17 Shkurtin, festën e pavarësisë së Kosovës, kur dilte me familjen për të parë festimet në qytet.
“I kemi parë njerëzit me flamuj, duke festuar. Atëherë gjithmonë më kujtohej edhe e kaluara që ma kanë treguar familjarët, se si nuk e kanë pasur lirinë që e kemi ne sot”, shton ajo.
Në rrëfimet e të moshuarve, liria për të folur shqip, për t’u shkolluar në gjuhën amtare apo për të lëvizur pa frikë, nuk ka qenë gjithmonë e garantuar.
“Sot, kemi mundësinë të shkollohemi në gjuhën tonë amtare, të mos frikësohemi prej policisë, të dalim lirshëm. Vetë fakti që e gëzojmë lirinë është përparësi”, thotë Medina.
Por, ajo është e vetëdijshme për kufizimet që sjell realiteti ekonomik. Pranon se, po të kishte lindur në një vend të Evropës Perëndimore, mundësitë për një punë me pagë më të lartë do të ishin më të mëdha.
Por, kushtet më të mira ekonomike i sheh si përparësinë e vetme që kanë vendet më të zhvilluara në krahasim me Kosovën.
“Normalisht që do të doja ta vazhdoj jetën time këtu, por krejt varet nga tregu i punës. Nëse e gjej një punë me të ardhme të kënaqshme, atëherë natyrisht që do të rrija në Kosovë”, thotë Medina.
Kur e mendon Kosovën pas 20 vjetësh, ajo shpreson që vendlindja e saj të jetë e anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Edhe vetë synon të kontribuojë pikërisht në diplomaci, pasi studimet dëshiron t’i vazhdojë për marrëdhënie ndërkombëtare.
“Për ne në Kosovë ka pasur rol shumë të madh raporti ynë me ndërkombëtarët”, thotë Medina, duke shtuar se historia e vendit është dëshmi e kësaj./ REL
© SYRI.net