Miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

Miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

20:51, 12/02/2026

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me 90 vota një rezolutë përmes së cilës kërkohet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë të garantojnë një proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi kërkesa e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtjen e rezolutës nuk u pranua.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në prezantimin e përmbajtjes tha se rezoluta është hartuar nga ekspertë të pavarur dhe synon të sigurojë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së, përfshirë detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rezoluta thekson përkushtimin e Kuvendit për respektimin e Kushtetutës së Kosovës, standardet ndërkombëtare, ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ajo kërkon gjithashtu nga shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të respektojnë marrëveshjen me Kosovën dhe të sigurojnë funksionimin e gjykatës në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Po ashtu, rezoluta inkurajon mekanizmat ndërkombëtarë dhe organizatat joqeveritare për monitorim të shtuar të funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore në proceset gjyqësore.

Kuvendi konfirmon angazhimin për mbështetjen e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, për mbrojtjen e udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së, si dhe për afirmimin e vlerave historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco