'Nuk ka prova për Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale!' Avokati i Veselit: Ka persona që kanë gënjyer nën betim

'Nuk ka prova për Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale!' Avokati i Veselit: Ka persona që kanë gënjyer nën betim

12:54, 12/02/2026

Mbrojtësi i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, avokati Rodney Dixon, në paraqitjen e fjalës përfundimtare tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka qenë në pozitë të rehatshme gjatë procesit gjyqësor. 

Avokati i Veselit vazhdoi pretendimet kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) duke nënvizuar se ka pasur dëshmitarë që kanë gënjyer edhe në betim. 

"Dëshmitarët e thirrur nga ZPS-ja janë thirrur për pohimin e vërtetësisë të qëndrimit të saj. Por, në të njëjtën kohë ne kemi parë që ZPS-ja ka sulmuar dëshmitarë dhe kemi pasur persona të vërtetë prej të cilëve ZPS-ja nuk ka marrë përgjigje, derisa gënjeshtarëve u ka dhënë mundësi për t’i dhënë përgjigjet e tyre. Kështu që, si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën", ka deklaruar Dixon.

Avokati u ndal edhe te referenca për bashkëpunëtorët, duke thënë se edhe këtu kemi të bëjmë vetëm me punën e SHIK-ut pas luftës.

““Kur Veseli flet për zhvillimin e Shërbimit Informativ i Kosovës (SHIK) pas luftës, ajo s’ka të bëjë fare me atë që mund të ketë ndodhur gjatë luftës. Nëse pas luftës po konsiderohej marrja e ndonjë informacioni, kjo nuk do të thotë se diçka e tillë ka ndodhur edhe gjatë luftës. Në fakt ata nuk mund ta bënin këtë gjatë luftës”.

Nuk ka asgjë të paligjshme që të ekzistojë një strukturë e shërbimeve të zbulimeve civile që merret me çështjet dhe rreziqet e sigurisë. Prokuroria e neglizhon dhe nuk e përmend se Veseli e ka bërë absolutisht të qartë se nuk bëhej fjalë për hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve. Kjo ishte pas luftës, e gjitha është në intervistë, por është injoruar tërësisht nga Prokuroria”.

Shpërbërja e SHIK-ut është bërë publike menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008.

Avokati i Veselit, Rodney Dixon, tha më tej se ZPS-ja nuk ka prova për të mbështetur “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale [NPK] që pretendon kundër klientit tim”.

Ai kërkoi nga trupi gjykues që të trajtojë me kujdes peshën e intervistave që janë dhënë shumë kohë pas luftës.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë. Kjo në fakt është teori konspirative. ZPS po arrin fundin kur pikërisht përpiqet të tregojnë se këto janë prova që zoti Veseli ka kontribuar për NPK-në”, tha ai

Sot po mbahet dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco