Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes.
Osmani ka thënë se ky është zhvillim i një rëndësie historik për Kosovën. Ajo shtoi se beson që angazhimi i Kosovës në këtë drejtim do të jetë i madh, edhe për shkak të së kaluarës dhe përvojës në ndërtimin e paqes.
“Ky është një zhvillim i një rëndësie historike për Kosovën. Në radhë të parë për shkak se kjo është një organizatë ndërkombëtare, është anëtarësim i Republikës së Kosovës në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si një ndër anëtarët themelues të kësaj organizate. Në radhë të dytë për shkak se kjo organizatë themelohet nga SHBA, aleati ynë strategjik. Dhe në radhë të tretë për shkak se SHBA kanë përzgjedhur pikërisht Kosovën në mesin e disa shteteve që janë anëtare themeluese, duke pasur parasysh përvojën e Kosovës në shtetndërtim, në ndërtim të paqes, aleancave, përvojë kjo që do të mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes edhe në vendet e tjera të botës.
LEXO EDHE: Presidentja Osmani ftohet nga Trump që ta përfaqësojë Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën
Me krenari të madhe kam pranuar këtë ftesë personale të Trump. Ne sado që jemi shtet i vogël, mendoj se mund të kemi kontribut të madh dhe jam duke punuar shumë afër me Shtëpinë e Bardhë në mënyrë që kontributi ynë të jetë konkret”, tha Osmani para mediave.
Presidentja Osmani tha se pjesëmarrja e Kosovës në këtë organizatë nuk përfshin detyrime financiare të detyrueshme.
“Një gjë e tillë nuk është përmendur në dokumentacionin që na është dërguar. Ju e keni parë edhe vetë ftesën, por edhe në dokumentacionin përcjellës nuk përmendet çështja e ndonjë pagese. I lihet shteteve që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare. Për të gjitha çështjet jemi në koordinim me SHBA.
Besoj që kontributi i Kosovës do të jetë domethënës për shkak të përvojës sonë në ndërtimin e paqes she Kosova është një prej sukseseve më të mëdha amerikane, aleancës euroatlantike në ndërtimin e paqes dhe besoj që kemi çka të ofrojmë në një iniciativë të tillë”, tha presidentja Osmani.
© SYRI.net