Moti i keq shtyn nisjen e mësimit në disa komuna të Kosovës, Prishtina rifillon nga nesër

Moti i keq shtyn nisjen e mësimit në disa komuna të Kosovës, Prishtina rifillon nga nesër

08:03, 12/01/2026

Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura dhe përmbytjet e ditëve të fundit, disa komuna në Kosovë kanë vendosur të shtyjnë rifillimin e procesit mësimor për gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2025/2026.

Komunat e Malishevës, Drenasit dhe Fushë Kosovës kanë marrë vendime për shtyrjen e nisjes së mësimit, për shkak të vështirësive në terren, dëmtimeve në infrastrukturën rrugore dhe problemeve në shkolla.

Komuna e Malishevës ka njoftuar se procesi mësimor do të rifillojë më 14 janar 2026, pasi reshjet e shumta dhe përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe vështirësi në qarkullim.

Edhe Komuna e Drenasit ka shtyrë fillimin e mësimit deri të mërkurën, duke qenë ndër zonat më të prekura nga moti i keq, ku janë raportuar dëmtime në rrugë dhe objekte shkollore.

Ndërkohë, Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se gjysmëvjetori i dytë do të nisë më 19 janar 2026, pasi kushtet aktuale, përfshirë problemet me ngrohjen dhe qarkullimin, nuk lejojnë zhvillimin normal të procesit mësimor.

Në dallim nga këto komuna, në komunat e tjera të vendit mësimi ka nisur sot, ndërsa Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se nga nesër mësimi do të zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat, pasi janë krijuar kushtet e nevojshme për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

Nga ana tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të shtyhet edhe për disa ditë në nivel vendi, duke theksuar se temperaturat e ulëta dhe kushtet jo të përshtatshme në disa shkolla paraqesin rrezik për shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënësve.

Gjysmëvjetori i dytë i mësimit ishte planifikuar të fillonte më 8 janar, ndërsa autoritetet lokale pritet të vazhdojnë vlerësimin e situatës në ditët në vijim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco